Ndonëse një vit më parë ishin kryer testime për stabilitetin e infrastrukturës së Urës mbi lumin Ibër, sot po ashtu janë parë punëtorë në terren të cilët po kryejnë inspektime të reja në këtë urë.
Gjeneral Kadri Kastrati, Gjeneral i FSK-së në pension, ka komentuar raportimet për testimin e fundit të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ai kujtoi se edhe vitin e kaluar ishin bërë testime nga Qeveria, me pretendimin se ura do të hapej për qarkullim, por pas ndërhyrjes së NATO-s, Brukselit dhe KFOR-it, veprimet ishin ndalur.
“Mu më duket shumë qesharake, por mund të them se ndoshta ka ardhë dikush nga jashtë që po i teston urat këtu brenda – dhe Qeveria e Kosovës nuk e di”, tha Kastrati.
Sipas tij, është e papranueshme që Qeveria të mos jetë në dijeni për lëvizje të tilla, kur vetë Policia e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës dhe komunat e Mitrovicës kanë kapacitet të plotë për të kontrolluar çdo aktivitet në atë zonë.
“Ne kemi polici shteti që në çdo moment e di çka ndodh – e sidomos atje. Mos të flasim që Ministria apo zëvendësministri i Infrastrukturës nuk e di. Kjo për mua është jo serioze”, u shpreh ai. Gjenerali Kastrati kërkoi më shumë transparencë dhe koordinim institucional për çështje të tilla që kanë ndjeshmëri të lartë politike dhe sigurisht edhe simbolike në veri të vendit.
Ndryshe, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se nuk është në dijeni për natyrën e punimeve që po zhvillohen aktualisht në urë.
“Sipas të dhënave që kemi si ministri, testimet për stabilitetin e urës janë përfunduar vitin e kaluar dhe rezultatet kanë konfirmuar se ura është në gjendje shumë stabile. Aktualisht nuk kam informacione shtesë për aktivitetet që po zhvillohen ”, ka deklaruar Durmishi.
Nga burime të Telegrafit mësohet se inspektimet po kryhen nga ekspertë të kontraktuar nga Bashkimi Evropian (BE), i cili është financuesi kryesor i ndërtimit dhe revitalizimit të kësaj ure.
Sipas të njëjtave burime, qëllimi i këtyre punimeve është pikërisht inspektimi teknik dhe mirëmbajtja e urës në kuadër të projekteve të mbështetura nga BE-ja.