Ka vdekur Ragip Jashari, njëri nga bashkëluftarët më të afërt të komandantit Adem Jashari.
Këtë e kanë bërë të ditur familjarët e tij në rrjetin social në Facebook.
“Familjar, miq, bashkëluftëtarë,shokë e dashamirë me pikëllim te thellë ju njoftojmë se sot me (14.03.24) ka ndrru jetë axha, Ragip Jashari”, thuhet në njoftim.
Jashari po vuante nga një sëmundje të cilës nuk i bëri ballë.
Por kush ishte Ragip Jashari?
Ragip Jashari ishte njëri nga bashkëluftëtarët e momenteve të fundit të Adem Jasharit.
Ai fatmirësisht arriti të kalojë rrethimin e forcave serbe në Prekaz, i cili disa herë ka treguar edhe momentin e parë kur familja Jashari u sulmua.
”Familja Jashari ishin përgatit për luftë, edhe neve na stërvitën. Kemi këndu këngë e i kemi dhënë njëri-tjetrit kurajo”, kishte thënë Jashari në një intervistë derisa tregonte se kishte qenë pjesë e betejës 5,6 dhe 7 mars.
Jashari ka treguar edhe për porosinë e Hamëz Jasharit pasi u vranë shumë ushtarë nga forcat serbe.
”Erdh baca Hamzë e na tha, burra këtu është një luftë e pabarabartë, na tha kqyrni mbrojeni gjithkush vetën’‘, kishte thënë ai.
Për vdekjen e tij kanë reaguar edhe miq të tij.
Njëri ndër ta ishte edhe Sami Lushtaku i cili lajmin për vdekjen e tij e priti me dhembje të thellë, kështu duke ngushëlluar familjen e të ndjerit.