Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Kush është Gordana Siljanovska-Davkova, presidentja e parë femër e Maqedonisë së Veriut

    09/05/2024 19:30
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Maqedonia e Veriut për herë të parë do të ketë presidente. Gordana Siljanovska-Davkova e mbështetur nga partia OBRM-PDUKM në zgjedhjet e djeshme presidenciale (8 maj) fitoi me dallim të madh votash ndaj kundër-kandidatit dhe presidentit aktual Stevo Pendarovski.

    Sipas rezultateve të para nga KSHZ, Siljanovska ka marrë 560 mijë vota, ndërsa Pendarovski 251 mijë vota.

    Në fjalimin e saj të parë pas shpalljes së rezultateve, Siljanovska tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike ose partiake.

    “Unë them se nga ky moment këtu do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, i të gjitha grupeve etnike, i anëtarëve partiakë, i atyre që nuk janë në parti, sepse një president, sidomos nëse është grua, nuk mund të bashkojë ose të kërkojë unitet nëse u përmbahet linjave partiake”, tha Siljanovska.

    Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ishin tentimi i dytë i Siljanovskës për garë për kreun e shtetit, pasi në vitin 2019 humbi nga po i njëjti kundër-kandidat, Stevo Pendarovski. Herën e parë Pendarovsi e fitoi me 58 mijë vota dallim.

    Programi i Gordana Siljanovska-Davkovës

    Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, në programin e saj shkruan se si presidente ajo do të ndërtojë konsensus me qeverinë, por edhe me opozitën.

    “Qëllimi i integrimit europian është europianizimi sipas kritereve të Kopenhagës. Në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë nuk ka asnjë pjesë për ndryshim të Kushtetutës së Maqedonisë”, shkruan në programin e Siljanovskës, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës, të cilat janë kusht për vazhdimin e rrugës europiane të RMV-së.

    Në paraqitjet publike, Siljanovska ka shmangur përgjigjet politike në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe kryesisht ka dhënë përgjigje që i jep teoria e së drejtës.

    Në intervistë për REL, Siljanovksa ka thënë se presidenti i vendit nuk vendosë nëse do të ketë ndryshime të Kushtetutës, ose jo. Por, në pyetjen nëse përbërja e re parlamantare i voton ndryshimet kushtetuese dhe ajo është presidente, Silanovska është përgjigjur se do t’i respektojë ato.

    Pa “e Veriut” në paraqitjet publike

    Duke prezantuar platformën me të cilën garoi në zgjedhjet presidenciale, Siljanovska-Davkova tha se “ai është program për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kthimin e krenarisë për Maqedoninë”.

    Në fushatë ajo nuk përdori emrin e ri të shtetit, sipas Marrëveshjes së Prespës të nënshkruar me Greqinë në vitin 2018.

    “Duke respektuar vullnetin e shprehur qartë të qytetarëve të Maqedonisë nga shtatori i vitit 1991, si dhe nga shtatori i vitit 2018, por edhe si qytetar, nuk do ta përdor mbiemrin “e Veriut” në fjalimet e mia drejtuar publikut”, shkruan ajo në programin me të cilin u paraqit në zgjedhje.

    Marrëveshja e Prespës u nënshkrua në vitin 2018 nga ministrat e atëhershëm të Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikos Kozias dhe Nikola Dimitrov, si zgjidhje e mosmarrëveshjes maqedono-greke për emrin Maqedoni, e cila u negociua mes dy vendeve për 27 vjet.

    Pikëpyetje për Marrëveshjen e Prespës

    Në pjesën e politikës së jashtme, Siljanovska-Davkova gjithashtu u zotua të jetë para se gjithash “lobiste aktive” në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për hapjen e rrugës së Maqedonisë drejt BE-së. Megjithatë, ajo ende e konsideron të hapur çështjen e Marrëveshjes së Prespës “ligjërisht dhe politikisht”.

    “Marrëveshja e Prespës, së bashku me amendamentet kushtetuese, është miratuar në kundërshtim me të drejtën kombëtare dhe kontestohet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me të drejtën për vetëvendosje, parimin e barazisë së shteteve, ndërhyrjen në punët e brendshme të shtetit sovran, dhe cenimi i identitetit është gjithashtu shkelje e rëndë e të drejtave kolektive dhe individuale të njeriut të qytetarëve të Maqedonisë”, shkruan ajo në programin e saj.

    Në paraqitjet në fushatë, Siljanovska-Davkova tha se në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, “të gjitha veprimet e saj do të jenë në kuadër të ligjit vendor dhe ndërkombëtar”.

    Më shumë përvojë në shkencë, më pak në politik

    Siljanovska-Davkova do të mbushë 71 vjet më 11 maj, një ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual Pendarovski.

    Ndonëse me kalimin e viteve herë pas here hyri në arenën politike, në role të ndryshme, Siljanovska-Davkova është më e njohur në publik si eksperte juridike.

    Nga viti 2004 është profesoreshë e rregullt e së drejtës kushtetuese, sistemit politik, sistemeve moderne politike dhe vetëqeverisjes lokale në Fakultetin Juridik “Justiniani I” në Shkup. Ajo mori doktoraturën në shkencat juridike në Universitetin e Lubjanës në vitin 1993.

    Në angazhimin e saj akademik është autore e më shumë se 200 punimeve shkencore në fushën e së drejtës kushtetuese. Ajo është edhe themeluese e Këshillit të parë të lëvizjes evropiane në Maqedoni. Ajo ishte anëtare e shumë instituteve dhe shoqatave ligjore vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Komisionin e Venecias për Çështjet e Minoriteteve.

    Për herë të parë në politikë hyri në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, me sugjerim të Partisë Liberale, si ministre pa portofol në qeverinë e parë të kryeministrit të atëhershëm nga LSDM, Branko Cërvenkovski (1992-1994).

    Ajo u bë më aktive në vitin 2004 dhe 2005, kur doli kundër Ligjit për Organizimin Territorial i njohur si ndarja e komunave pas Marrëveshjes Kornizë (nënshkruar në Ohër në 2001 dhe që i dha fund konfliktit në Maqedoninë e Veriut). Me këtë ligj u krijuan më shumë komuna me shumicë shqiptare.

    Në vitin 2017, ajo ishte e zëshme kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili e bëri gjuhën shqipe gjuhën e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Për këtë ligj, Siljanovska-Davkova tha se është antikushtetues dhe se e shkatërron frymën e Marrëveshjes Kornizë.

    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Siljanovska-Davkova ishte bartëse e listës së kandidatëve për deputete të OBRM-PDUKM-së dhe Koalicionit në njësinë e parë zgjedhore. Prej gushtit 2020 është deputete në Kuvend.

    Megjithatë, ajo thotë se është autonome në veprimet e saj si deputete dhe nuk dëshiron të lidhet me OBRM-PDUKM-në sepse nuk është anëtare e partisë.

    Kompetencat e kryetarit të shtetit në Maqedoninë e Veriut

    Presidenti, sipas kompetencave të tij, përcakton mandatin për përbërjen e Qeverisë, emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët jashtë vendit, merr letra kredenciale dhe tërheqje të përfaqësuesve të huaj diplomatikë, lidh marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës, jep dekorata dhe mirënjohje dhe jep falje.

    Presidenti gjithashtu nënshkruan dekrete për shpalljen e ligjeve. Presidenti i Republikës mund të vendosë mosnënshkrimin e dekretit, të vërë veton ndaj tij dhe ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim.

    Presidenti i shtetit është edhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura si dhe Kryetar i Këshillit të Sigurimit dhe emëron dhe shkarkon Drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës.

    Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, mandati i presidentit të shtetit është pesë vjet, me të drejtë vetëm edhe për një rizgjedhje.

    Gordana Siljanovska-Davkova është presidentja e gjashtë e Maqedonisë së Veriut.

    Artikuj të ngjashëm

    Skandaloz veprimi i fundit i presidentes verioro-maqedonase, fshin gjuhën shqipe nga faqja zyrtare

    BE-ja përgëzon Siljanovska-Davkova, pasi u zgjodh presidente në Maqedoni të Veriut

    Davkova ia kthen në shqip presidentes Osmani: Uroj ta vazhdojmë bashkëpunimin për të arritur integrimin në BE si synim strategjik

    Të Fundit

    Përhapet zjarri që kishte shpërthyer gjatë ditës përreth pikës kufitare Hani Elezit – Bllacë 

    Faton Peci shfaqet i bindur se do ta fitojë Mitrovicën lehtë, “kapet” me komentuesin që i tha “nuk fiton për shtune 700 vjet”

    Policia dhe studentët përplasen në Serbi, forca të shumta po i largojnë me dhunë nga rrugët

    Në autostradën Kosovë-Shqipëri paralajmërohen kontrolle me radarë statikë

    Reagon gruaja e Adem Mikullovcit pas shpifjeve se nuk iu rregullua varri aktorit

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.