Kush e nxorri në pritë Xhulian Bullarin? Babai: Priste të ikte në Gjermani te i vëllai

25 vjeçari i identifikuar si Xhulian Bullari është ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Babicë të Vlorës.

Ai u gjet i vdekur nga policia mëngjesin e sotëm, rreth orës 07: 35, në një makinë tip ‘Fiat Punto’ me targa TR 3437 R, në aksin Vlorë-Babicë, që rezulton në pronësi të një gruaje. Sipas ekspertizës mjeko ligjore 25-vjaçari dyshohet se ka ndërruar jetë rreth orës 21.00 të mbrëmjes së kaluar.

Bullari, nga Elbasani, është qëlluar 3 herë, por një plumb e ka kapur në kokë, që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë gjetur fillimisht trupin e pajetë dhe më pas kanë njoftuar policinë. Në automjetin ku u gjet viktima nuk kishte asnjë dokument, ndërsa policia e identifikoi përmes shenjave të gishtërinjve.  

I riu është ekzekutuar në një zonë të thellë, ku nuk ka banesa afër, gjë që shton dyshimet e grupit hetimor se ai mund të jetë nxjerrë në pritë. Janë ngritur dyshime se deri në vendin ku u ekzekutua, viktima ka qenë i shoqëruar me persona të njohur. Babai i viktimës në një prononcim për mediat është shprehur se i biri u largua pasdite nga Tirana për të pirë një kafe, ndërsa thekson se nuk dinin që ai të kishte konflikte. Sipas babait i riu priste të shkonte te i vëllai në Gjermani.

Xhulian Bullari rezulton emër i njohur për policinë, pasi ka qenë arrestuar më parë për akuzën e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” të shtetasve sisrianë.Reklamë

Nuk dihet se sa persona mund të kenë marrë pjesë në ekzekutim, por dyshohet se kanë qenë më shumë se 1 person, pasi në zonë është shumë e vështirë të shkohet. Nuk ka ende një pistë hetimi për ngjarjen, ndërsa policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes së të riut.

Reklama