Flutura Kusari, juriste e së drejtës së mediave, ka thënë se përgjegjësia kryesore për sigurinë e gazetarëve në veri i takon shtetit, që sipas saj, po do ta shtrijë sovranitetin në atë pjesë.
Policia e Kosovës të premten ka konfirmuar se në Leposaviq janë sulmuar nëntë gazetarë, disa prej tyre kanë pësuar lëndime e trupore e disave u janë marrë pajisje të ndryshme.
Sipas Kusarit, përgjegjësia kryesore i takon shtetit, përkatësisht ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Përgjegjësia për sigurinë e gazetarëve i takon shtetit. Nëse shteti po do me shtri sovranitetit, gazetarët janë pjesë e këtij vendi. Përgjegjësia kryesore i takon shtetit, përkatësisht ministrit Sveçla”, ka thënë ajo në “Interaktiv”.
Kusari ka kritikuar edhe qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj mediave prej që ka ardhur në pushtet.
“Qeveria vazhdon të ketë qasje negative. Narrativa që e ndërton është kryesisht negative për gazetarët. Është shqetësim në ngritje. Këso qëndrimi duhet me pas kryeministri [sikur sot], sa herë që masakrohen gazetarët nëpër rrjetet sociale”, ka thënë Kusari.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se në tre javët e fundit janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve në veri. Kusari ka thënë se këto shifra janë rekord në historinë e Kosovës së re.
“Të dhënat tregojnë numrin më të madh të sulmeve në historinë e re të Kosovës. 15-20 sulme tërë vitin i kemi pas ndaj gazetarëve, sulme të natyrës së butë. 30 është numër jashtëzakonisht rekord. Ukraina është vendi më i rrezikshëm për të bërë gazetari, pastaj Kosova për shkak të veriut”, ka shtuar ajo.
Kusari ka deklaruar se shteti duhet t’u ndihmojë gazetarëve edhe me pajisje mbrojtëse, si dhe duhet të ketë më shumë koordinim mes institucioneve dhe shefave të mediave.