Kurti: Ushtrisë i duhet ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit, këtë e zotëron Bashkim Jashari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dëshiruar punë të mbarë Bashkim Jasharit në pozitën e tij si komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtyllë e fortë mbi gurthemelin e Kosovës.

“Ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit. Të gjitha këto vlera i zotëron gjeneralmajori Bashkim Jashari, nipi i Komandantit Legjendar, i Kryekomandantit Adem Jashari. E, nga sot ai është Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

“Ushtria jonë është e re, por me pjekuri të thellë e histori të lavdishme. Vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtylla jonë e fortë mbi gurthemelin e Republikës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Reklama