Kryeministri Albin Kurti, ka mirëpritur në takimin e parë ambasadorin e ri jorezident të Norvegjisë, Andreas Gaarder.
Gaarder ishte së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Bjornstad.
Sipas një njoftimi, ata biseduan rreth marrëdhënieve në mes të dy vendeve, ku u theksua përkushtimi që kanë për forcimin e tyre.
Si përfundim Kurti i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë ndaj Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri Kurti takoi ambasadorin e ri jorezident të Norvegjisë, Andreas Gaarder
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në takimin e parë ambasadorin e ri jorezident të Norvegjisë, Andreas Gaarder, i cili shoqërohej nga përfaqësuesi i posaçëm i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Bjørnstad.
Bashkëbiseduan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë. Nga të dy palët u theksua përkushtimi për zhvillimin dhe forcimin tyre. Fusha e energjisë dhe teknologjisë në Kosovë, u veçuan si sektorë me interes të veçantë dhe me potencial për bashkëpunim dhe investim nga kompanitë norvegjeze.
Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij dhe të shtetit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë në zhvillim dhe demokratizim të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj.