Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka sulmuar dy ish-kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët po mbahen në Hagë.
Sipas Kurtit, në PDK ekzistojnë katër ose pesë kryetarë, duke thënë se “janë dy ish-kryetarët në Hagë, të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike”.
“Unë prej përvojës politike, por besoj edhe prej lajmeve dhe krejt çfarë dihet publikisht e kam të qartë se PDK-ja nuk është reformuar. Në PDK ekzistojnë ose katër ose pesë kryetarë”.
“Nuk e di a i ka katër apo pesë, por jam i sigurt që s’i ka tre, s’i ka as dy dhe s’e ka as një. Edhe janë dy ish-kryetarët në Hagë, të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike. PDK-ja nuk është reformuar”, tha Kurti në Tëvë1.
Tutje, ai akuzoi PDK-në se nuk është parti, e të cilën e quajti “shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara dhe aty nuk merresh vesh se ke folur me një person”.
“Prandaj edhe Enver Hoxhaj thotë dicka krejt tjetër. Prandaj e patë në një emision çka tha kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, për Sami Lushtakun, prindin e një deputeti të PDK-së”, tha ai.