Selvije Kurti nga Instituti Kosovar për Demokraci ka thënë se qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria përkatëse, i ka borxh opinionit publik që të sqarojë pse konkretisht është refuzuar nga donatorët granti i performancës, pasi komunat kanë zhvilluar projekte për të përfituar nga ky fond.
Ajo shpjegon se ka komuna që në vazhdimësi janë angazhuar për të përfituar nga këto lloj fondesh, por edhe të tjera që e kanë neglizhuar atë.
Megjithatë, problemi kryesor, sipas Kurtit, qëndron te mungesa e komunikimit adekuat mes komunave dhe qeverisë.
“Gjatë këtij mandati qeverisës ka munguar komunikimi dhe dialogu mes komunave dhe qeverisë, që ka ardhur si pasojë e kompozicionit politik. Për herë të parë kemi një dallim të madh mes një partie që udhëheq qeverinë dhe ka shumë pak komuna në nivel lokal, ndërsa pjesa më e madhe e komunave udhëhiqet nga partitë deri tash opozitare. Ky dallim është reflektuar shumë në bashkëpunimin mes qeverisë dhe komunave – i cili, në fakt, nuk do të duhej të ndodhte, sepse secili është në detyrë për t’iu shërbyer qytetarëve. Nuk ka pasur gatishmëri e as vullnet prej anës së qeverisë që të merret me problemet e komunave. Për shembull, kemi tri vjet që merremi me çështjen e kontratës kolektive dhe nuk kemi as gatishmëri, as vullnet prej qeverisë për ta zgjidhur këtë çështje”, ka thënë Kurti.