Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Ballina

    Kurti: Perëndimi poe përkëdhel Serbinë, Kosova po paguan padrejtësisht

    20/09/2024 17:58
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Kryeministri Albin Kurti, e ka akuzuar Perëndimin të enjten se po e “përkëdhel” Serbinë për shkak të frikës dhe shqetësimeve për destabilizim, duke shtuar se ajo nuk po “shpaguhet” dhe se Kosova po “paguan” për këtë.

    Qeveria e Kurtit është kritikuar nga disa vende të Perëndimit dhe BE-ja për një sërë vendimesh në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe gjatë këtij viti, ku ai ka thënë se dëshiron të vendosë rënd dhe ligj.

    Ai tha se Perëndimi, duke qenë “shumë i kujdesshëm” me Serbinë, po bën që edhe Kosova “të paguajë për këtë dhe kjo nuk është e drejtë”.

    Duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters të premten, Kurti tha: “Mendoj se përkëdhelja e Serbisë [nga Perëndimi] gjatë dy vjetëve e gjysmë prej se ka nisur agresioni rus në Ukrainë nuk po shpaguhet, prandaj dikush duhet të thotë mjaft”.

    “Lidhjet e fuqishme të Serbisë me Federatën Ruse dhe lidhjet e thella historike, ekonomike dhe kulturore mes tyre, po e bëjnë Perëndimit të jetë shumë i kujdesshëm me Serbinë”, tha Kurti.

    Serbia, për dallim nga vendet e BE-se dhe vendet e tjera të Perëndimit, nuk pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës nga Moska.

    Ajo vazhdon të mbajë lidhje të ngrohta me Rusinë, edhe pse ka thënë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës.

    Ndërkohë, muajt e fundit Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve luftarakë në vlerë rreth 2.7 miliardë euro, si një memorandum mirëkuptimi për litium me BE-në.

    “Ajo [Serbia] ka gjetur partnerë edhe në Perëndim për shkak të frikës dhe shqetësimeve që disa diplomatë i kanë se mund të ndodhë destabilizimi përsëri. Para luftës në Ukrainës kam parë disa diplomatë perëndimorë shumë të relaksuar, tani të njëjtit janë shumë të frikësuar. Mendoj se ata e kanë pasur gabim atëherë dhe e kanë gabim tani”, shtoi ai.

    “Brukseli t’i bëjë trysni Serbisë”

    Kurti e kritikoi Bashkimin Evropian, të cilit të dyja vendet fqinje synojnë t’i bashkohen dikur, se nuk ka reaguar ndaj “shkelje” që ka bërë Serbia.

    “Brukseli duhet ta luajë rolin e gjyqtarit që i bie pipit kurdo herë që ka shkelje të Marrëveshjes”, tha Kurti, duke iu referuar Marrëveshjes Bazë që Kosova dhe Serbia e arritën nën ndërmjetësimin e BE-së në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.

    Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar palët për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.

    Kurti ka ngulur këmbë që marrëveshja të nënshkruhet dhe që Serbia ta tërheqë një letër që kryeministrja e atëhershme, Ana Bërnabiq, i dërgoi BE-së vitin e kaluar, ku shprehu rezerva për marrëveshjen, si dhe t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin dhe grupin e tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

    “Çfarë kemi parë këto dy vjet është se Brukseli nuk ka reaguar kur Beogradi e ka shkelur marrëveshjen. Ne duam që Brukseli t’i bëjë trysni Serbinë ta respektojë marrëveshjen dhe të angazhohet me vullnet të mirë dhe në mënyrë konstruktive në zbatimin e plotë të saj”, tha Kurti.

    Qeveria e Kurtit e ndaloi dinarin serb, mbylli disa degë të postës serbe, si institucione paralele serbe në një sërë vendimesh gjatë këtij viti, ndërsa synon ta hapë edhe urën mbi lumin Ibër, për cfarë është kritikuar se rrezikon trazira dhe destabilitet.

    Në lidhje me urën mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, Kurti e akuzoi Serbinë se dëshiron ta mbajë të mbyllur.

    “Serbia dëshiron ta mbajë të mbyllur urën në Mitrovicë sepse dëshiron ta mbajë të gjallë ëndrrën për ndarjen e Kosovës. Ajo dëshiron ta shndërrojë urën mbi Ibër në një kufi të ri. Kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.

    Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu. /REL

    Artikuj të ngjashëm

    Dodik: Qëllimi ynë kombëtar është bashkimi me Serbinë 

    Maloku kritikon qasjen e Kurtit: Duhet të merret me parregullsitë në Hagë, jo me vizitat

    Olluri: Gjykata Speciale do ta përdorë fjalinë e Kurtit për t’ia vazhduar paraburgimin Thaçit e Veselit

    Të Fundit

    Faton Peci shfaqet i bindur se do ta fitojë Mitrovicën lehtë, “kapet” me komentuesin që i tha “nuk fiton për shtune 700 vjet”

    Policia dhe studentët përplasen në Serbi, forca të shumta po i largojnë me dhunë nga rrugët

    Në autostradën Kosovë-Shqipëri paralajmërohen kontrolle me radarë statikë

    Reagon gruaja e Adem Mikullovcit pas shpifjeve se nuk iu rregullua varri aktorit

    Sala Jashari i reagon ashpër Deharit: Interpretimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është bërë “sipas dëshirës”

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.