Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale për intervistim si dëshmitar, shkruan Gazeta Demos.
Këtë e ka konfirmuar para gazetarëve, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridona Kozmaqi, e cila tha se Kurti ndodhet në udhëtim jashtë vendit, dhe e kishte të pamundur paraqitjen sot për intervistim.
“Siç jeni në dijeni, Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal ku kjo Prokurori e ka nën hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, konform legjislacionit në fuqi do ta përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër”, ka thënë Kozmaqi para gazetarëve.