Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar në Vlorë në Ekspozitën e Pavarësisë, duke e cilësuar si një ngjarje intensive, e realizuar posaçërisht për ditën e madhe të Flamurit e të Pavarësisë.
Sot Shqipëria ka shënuar përvjetorin e 111 të shtetësisë.
“Në disa dhjetëra metra katrorë ndesha tri forma të forta plastike: pikturë, pullë, dokument. Do të doja të kisha qëndruar më gjatë me artistët për të diskutuar mbi pejzazhet, portretet, teknikat dhe metaforat në tablotë e tyre. Artisti Edi Kojani më shoqëroi dhe me foli për çdo artist e çdo tablo. Disa prej artistëve ishin të pranishëm dhe shkëmbejnë ndoca fjalë me entuziazëm feste”.
“E po aty, në mes të sallës, plastika që përshkruan një shekull administrativ, që lidh data dhe personalitete, që lidh ngjarje dhe njerëz – pulla. Gjetje e bukur fakti që filatelia bënte pjesë në një sallë me pikturën dhe skulpturën. Ashtu papritmas, duke menduar pullat, më vjen ndërmend një prej statujave në një prej qosheve të sallës: shqiptari si kryq i ngurtë i trupit të malësorit dhe çiftelisë së tij”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Kur dola nga ajo sallë, në një holl të hapur, një befasi tjetër: ajo e prezantimit të disa prej dokumenteve më të hershëm e më të thukët të periudhës së ngutshme e të ethshme që garantonte shtetin e parë të shqiptarëve, dhe, të asaj që tregonte të pakryerën: Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ndër shkresa e dorëshkrime”.
Më tutje Kurti ka deklaruar se kjo ekpozitë i ka lënë një shije ngrohtësie.
“E tërë ekspozita më la një shije ngrohtësie. Sipas metaforës së karikaturës së Arben Meksit, kulla e Pizës e sheh ndoshta drejtësinë në gjurmën e vet. Ka ardhur koha që ne ta lexojmë drejtësinë tonë drejtpërdrejt në punën tonë të përditshme e jo vetëm në gjurmët tona”.
“Çdo datë e shënuar është thirrje për punë. Falemnderit artistëve dhe koleksionistëve. Falë tyre ndjeva se në shqiptarët i përkasim të gjitha qyteteve tona, cep më cep, kudo ku na flasin gjurmët e artit dhe të kulturës, gjurmët e shtetndërtimit”, ka deklaruar Kurti.