Kryeministri në detyrë Albin Kurti ndër “sukseset” e qeverisë së tij ka radhitur investimet në fushën e mbrojtjes.
Ai tha se investimet në armatim ishin shumëfishuar, ndërsa duke folur për mandatin e ri, ai tha se ushtrisë do t’ia ndajnë mbi 1 miliard euro.
“Në mandatin e ri ushtrisë do t’ia ndajmë mbi 1 miliard euro, do të kemi fabrikë të municioneve dhe dronë ushtarakë Made in Kosova, pra që i prodhojmë vetë. Kemi filluar të blejmë për dallim prej më herët dhe për dallim edhe prej tani do të fillojmë të prodhojmë atë që kemi nisur ta blejmë”, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Pavarësisht se mandati katërvjeçar i Kurtit u dominua nga paralajmërimet e SHBA-së për partneritetin me Kosovën, Kurti lavdëroi marrëdhëniet e qeverisë së tij më amerikanët.
“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kemi zgjeruar dhe thelluar marrëdhëniet në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes. Grantin më të madh ndonjëherë nga SHBA e ka fituar qeveria jonë në vlerë prej 202 milionë dollarë për sistemin e baterive të energjisë elektrike. Nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me SHBA-në kemi blerë sistemin raketor anti-tank Javelin dhe do të blejmë edhe helikopterët Black Hawk”.