Kurti: Në mandatin e ri do të fillojmë me ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili u propozua nga partia e tij sot si mandatar i qeverisë së ardhshme në një fjalim të gjatë para anëtarëve të partisë së tij ka bërë disa premtime për realizim të projekteve të ndryshme.
Ai ka premtuar ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, dhe projektimin e linjave hekurudhorve që lidhin disa qytete të vendit.
“Në mandatin e ri do të fillojmë me ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, që përmban segmentin Gjakovë – Shkodër, dhe do të projektojmë linjën hekurudhore që lidh Prizrenin e Ferizajin me Gjilanin dhe Bujanocin”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
“Do të përfundojmë ndërtimin e rrugës Prizren–Tetovë, autostradën Prishtinë – Gjilan me vazhdim deri tek Dheu i Bardhë dhe autostradën Duhle-Shtime-Banullë. Po ashtu do të ndërtojmë rrugën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun. E do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugëve Deçan – Plavë dhe Pejë – Rozhajë”, është shprehur Kurti ndër të tjera.