Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen solemne të Selisë Qendrore të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”.
Ai është shprehur se në botën e pluralizuar, në të cilën po jetojmë, roli i fesë siç u shpreh ai, nuk është zvogëluar.
“Ndryshe prej parashikimeve të hershme sociologjike për venitjen e fesë, sot ajo vazhdon të ekzistojë, si një nga dimensionet e shumta e të fuqishme të diversitetit shoqëror, përkatësisht pluralizmit moral të shoqërisë”.
“Prandaj, edhe studiues të mirënjohur globalisht, si Habermas, Taylor e të tjerë, vazhdojnë të japin kontributin e tyre teorik për definimin e hapësirës që feja ka në shoqëritë bashkëkohore duke e tematizuar, njëkohësisht rolin që ajo mund të luajë në bashkë ekzistencën paqësore të diversitetit botëkuptimor, si dhe emancipimin e shoqërisë në përgjithësi”.
“Secila fe përmban korpus të tillë dijesh, të cilat, sado të kodifikuara të jenë, mund të interpretohen në rrethanat e reja shoqërore, me qëllim të përforcimit të vlerave të lirisë, e të drejtësisë, të barazisë e të dinjitetit njerëzor, të cilat sot i konsiderojmë vlera universale dhe të lidhura pashkëputshëm me humanizmin.” u shpreh kryeministri Kurti.
Ai tutje tha se shoqata ‘Bereqeti’ është bamirëse, e besueshme për Qeverinë e Kosovës dhe siç u shpreh, shumë e mirë për qytetarët e shtetit tonë.