Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e hershme të së dielës, të përbashkët me ministrin e komunitetit serb, Nenad Rashiq, foli për ndikimin e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Pos tjerash, Kurti tha se për shkak të përmirësimit të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore të vendit, ndikimi i dikurshëm “brutal fizik” i Serbisë nuk është i mundur.
“Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar, për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe të ligjit, luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet e vrasjet, nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim, janë rritur format e tjera të kërcënimeve hibride – kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhi e frikësimet e kërcënimet por edhe sulmet kibernetike”, deklaroi pos tjerash Kurti.
Kurti, pos tjerash doli në mbrojtje të Partisë “Demokracia Serbe” të Aleksandar Arsenijeviqit, pas deklaratave të fundit të këtij të fundit, që kanë shkaktuar reagime të shumta.
Kurti ka deklaruar se “Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë të Nenad Rashiqit dhe Demokracia Serbe të Aleksandër Arsenijeviqit, por edhe votuesit e komuniteteve tjera, kryesisht romë e ashkali”.