Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në nderim të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, ka deklaruar se vendi ynë zgjodhi të mos mbetet vëzhgues, por iu bashkua shteteve që vendosën sanksione ndaj Rusisë.
Në një komunikatë për media, Kurti ka theksuar se Kosova ka mbështetur vazhdimisht luftën e Ukrainës për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj shtetëror.
“Kosova e ka mbështetur prej kohësh luftën e Ukrainës për të mbrojtur integritetin e saj territorial dhe sovranitetin shtetëror, në mënyrë që ajo të ndërtojë një të ardhme të fortë në vend që të mbetet vazhdimisht e ekspozuar ndaj agresionit. Aktiviteti diplomatik i ditëve të fundit ka nënvizuar se sa qendrore mbetet kjo çështje”, tha kryeministri Kurti.
Ai shtoi se që nga fillimi i luftës, Kosova ka qëndruar krah Ukrainës.
Kurti potencoi se lufta në Ukrainë demonstroi qëndrueshmërinë dhe trimërinë e jashtëzakonshme të popullit ukrainas kundër imperalizimit të Rusisë. Gjithashtu, ai njoftoi se ka lexuar një libër rreth “shpirtit të pathyeshëm” të ukrainasve gjatë luftës të titulluar “Smile under the Roar of Cannon Fire” të ushtarakut Ruslan Pikhota.
Gjatë fjalës së tij me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Kurti uroi qytetarët ukrainas dhe theksoi se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet me ta.
“Kosova qëndron në solidaritet me Ukrainën në këtë rast solemn, e përkushtuar për të mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin e saj në të gjithë territorin e saj dhe synimin për një të ardhme të sigurt, demokratike dhe paqësore”, tha Kurti.