Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Albin Kurti, nuk e tha asnjë fjalë para seancës konstituive.
Njëjtë sikur seancave të kaluara, ashtu edhe sot kaloi para mediave pa e thënë asnjë fjalë.
Ndryshe sot është hera e shtatë që deputetët po mblidhen për konstituimin e Kuvendit, ndërsa ngërçi institucional po vazhdon që prej 15 prillit, kur nisi seanca konstituive.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të premtën dështoi sërish t’i merrte 61 votat e nevojshme. Vetëm 57 deputetë votuan për zgjedhjen e saj në këtë pozitë.
LVV-ja po insiston në emrin e Haxhiut, deputetes e cila për Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës konsiderohet si figurë përçarëse.