Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Ballina

    Kurti i çon mesazh Trumpit: Kosova gati për të pranuar migrantë të dëbuar nga SHBA

    11/06/2025 12:20
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) se ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”.

    “Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë, në një deklaratë për REL-in.

    Ai shtoi se informacione të tjera do të jepen ndërkohë.

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar për REL-in më 6 qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

    “Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi DASH-i, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.

    “Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.

    Nga DASH-i theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.

    Qeveria në detyrë e Kosovës tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës.

    “Partneriteti ynë i ndërsjellë, i ndërtuar ndër dekada, mbështetet në vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim. E vlerësojmë lart mbështetjen e tyre, sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit në institucionet euroatlantike”.

    Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar median Bloomberg News, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

    Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, që jetojnë në SHBA, duke forcuar kështu përpjekjet e presidentit republikan për shtimin e dëbimeve.

    Sipas Bloomberg-ut, administrata Trump po kërkon destinacione të mundshme për migrantët që mund të dëbohen si rezultat i këtij vendimi.

    Qeveria në detyrë, e gatshme të diskutojë edhe me Mbretërinë e Bashkuar për qendrat për migrantë
    Qeveria në detyrë e Kosovës më 26 maj ka shprehur gatishmëri për të diskutuar edhe me Mbretërinë e Bashkuar, propozimin për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik.

    Propozimi për ngritjen e qendrave të kthimit është pjesë e një strategjie më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për të adresuar numrit në rritje të migrantëve që mbërrijnë në ishullin anglez përmes rrugëve të paligjshme.

    Megjithatë, organizata ndërkombëtare Human Rights Watch ka shprehur shqetësimin se përdorimi i vendeve të Ballkanit si vende pritëse për migrantët mund të shkelë të drejtat e tyre dhe të krijojë sfida të reja për vendet pritëse.

    Në një marrëveshje të ngjashme që po ashtu kishte nxitur kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit.

    Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, të cilat do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtëritshme.

    Kjo marrëveshje kishte ngjallur reagime nga organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile, të cilat kanë shprehur shqetësime për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe për sfidat që mund të sjellë menaxhimi i të burgosurve të huaj në Kosovë.

    Më parë, Kosova kishte strehuar edhe rreth 1.900 shtetas afganë, që ishin evakuuar nga Afganistani pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021.

    Pas dy vjetësh funksionimi, kampi “Liya” në bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj ishte mbyllur. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, pjesa më e madhe e afganëve ishin transferuar tashmë në vendet pritëse, ndërsa një numër i vogël mbetet ende në Kosovë.

    Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, afganët do të qëndronin në Kosovë derisa do të kalonin procesin e verifikimit për t’u zhvendosur në SHBA, ose në ndonjë vend tjetër perëndimor./REL/

    Artikuj të ngjashëm

    Lëshohen sirenat edhe në Aman, Jordania mbyll hapësirën ajrore

    Pamje nga sulmi i ri i Iranit me raketa ndaj Izraelit, IDF: Miliona izraelitë janë nisur drejt strehimoreve

    “Faleminderit Kosovë”, thotë zyrtari i lartë amerikan pas vendimit për strehim të emigrantëve

    Të Fundit

    Lëshohen sirenat edhe në Aman, Jordania mbyll hapësirën ajrore

    Pamje nga sulmi i ri i Iranit me raketa ndaj Izraelit, IDF: Miliona izraelitë janë nisur drejt strehimoreve

    “Faleminderit Kosovë”, thotë zyrtari i lartë amerikan pas vendimit për strehim të emigrantëve

    Raketat shihen duke hyrë në hapësirën ajrore izraelite

    Si ndodhën sulmet dhe vrasjet në Minesota?

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.