Kryeministri Albin Kurti është takuar me zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, Luka Mesec.
Zyra e Kryeministrit tha se ata diskutuan, ndër tjerash, edhe për “situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit perëndimor”.
“Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Slloveni, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe për rolin e mërgatës sonë në forcimin e urave ndërmjet dy popujve dhe vendeve. Gjithashtu bashkëbiseduan edhe për situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit perëndimor”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, si në rrafshin evropian e ndërkombëtar ashtu edhe në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene në Kosovë shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR”, thuhet në njoftim.
Të mërkurën, me rastin e vizitës së zëvendëskryeministrit slloven Mesec në Kosovë ku u mirëprit nga ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë.
“Kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën e qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë në Slloveni, si dhe anasjelltas, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtën për pension në vendin ku jetojnë”, thotë Zyra e Kryeministrit.