Me nismën e deputetit në Kuvendin e Serbisë, Zharko Ristiq, serbët e Kosovës do të kenë një parti të re. Sipas themeluesve të saj, Aleanca për Kosovën – që tashmë është regjistruar zyrtarisht – do të jetë një opsion ndryshe nga Radoiçiqi e Rashiqi. I njohur për shëtitjet e tij nga partia në parti, njëherë me Vuk Jeremiqin e pastaj me Miroslav Aleksiqin, 45-vjeçari Ristiq në mars u akuzua nga ish-kryeministri Kurti si njeri i lidhur me shërbimet sekrete në Beograd.
25 qershor 2025 – Atë që e akuzonte ish-kryeministri Albin Kurti si njeri i shërbimeve të inteligjencës në Beograd, tani është themelues i një partie të re serbe në Kosovë.
Kjo parti do të quhet Aleanca e Kosovës dhe koordinator e krijues i saj është Zharko Ristiq.
Pas mbajtjes së mbledhjes së parë të këshillit ekzekutiv, kjo parti ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë.
Goran Marinkoviq, i cili është zgjedhur në krye të kësaj partie, ka thënë se serbët që jetojnë në Kosovë janë detyruar nga regjimi në Beograd të votojnë për Listën Serbe.
“Pas disa përpjekjesh për t’u regjistruar si parti, ne më në fund ia dolëm të tejkalojmë gjithçka e të merrnim vendimin për regjistrim,” ka thënë Marinkoviq i cili ka bërë fajtore Listën Serbe për shkaktim telashesh për t’u regjistruar për shkak të çështjeve teknike.
Sikundër ka njoftuar kjo parti, Aleanca e Kosovës do të përpiqet të jetë agjent konstruktiv politik në luftën për mbijetesën e serbëve në Kosovë.
“Askush nuk është që të na mbrojë, askush nuk na del zot. Largimi i serbëve nga institucionet dhe policia e Kosovës ishte gabim i tmerrshëm nga Aleksandër Vuçiqi, dhe tani është e qartë se na ka kushtuar shumë,” ka thënë Marinkoviq.
Kjo parti që pretendon se ka rrjet anëtarësh në Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë, Pasjan e Lipjan, ka për themelues Zharko Ristiqin, i cili është zgjedhur si anëtar nderi.
Me këtë rast, ai i ka ftuar serbët e Kosovës që më 28 qershor, me rastin e Vidovdanit, të shkojnë në Beograd për të mbështetur aktivizmin studentor.
Po ashtu, ai u ka bërë thirrje studentëve, profesorëve e aktivistëve serbë në Beograd që të vizitojnë manastiret në Kosovë për shkak të “fuqisë simbolike e shpirtërore.”
I lindur në fshatin Livaxhë të komunës së Graçanicës, Ristiqi në zgjedhjet e dhjetorit 2023 arriti të zgjidhej deputet në Kuvendin e Serbisë si pjesë e Lëvizjes Popullore të Serbisë.
Menaxher i diplomuar me profesion, siç jepet në të dhënat e Kuvendit të Serbisë, ai ishte pjesë e të ashtuquajurit Komitet parlamentar për Kosovën.
Në shtator të vitit të kaluar, ai dha dorëheqje nga Lëvizja Popullore për shkak të, siç pati thënë ai, përplasjeve që kishte pasur me kryetarin e saj, Miroslav Aleksiq.
Me sa duket, Ristiqit i pëlqejnë shëtitjet nëpër parti pasi i njëjti më herët kishte qenë pjesë e Partisë Popullore të udhëhequr prej Vuk Jeremiqit.
Ai ishte larguar nga kjo parti për gjoja mospajtim sa i përket qëdnrimeve sa i përket Kosovës.
Në qëndrimet e tij publike, Ristiq është vetëm një i ‘zakonshëm’ për të cilin Kosova është “srce Srbije”.
Duke e portretuar veten si kundërshtar i pozitës dhe opozitës në Serbisë, ai qysh në dhjetor të vitit të kaluar paralajmëroi se do ta provonte fatin e tij edhe në Kosovë.
“Shqiptarët e Kosovës nuk mund të llogarisin më në faktin se ardhmja e bashkëbiseduesve të tyre do të jenë ekskluzivisht përfaqësues të Milan Radoiçiqit e Nenad Rashiqit. Ata duhet ta marrin parasysh opsionin politik në rritje të mbledhur e koordinuar nga Zharko Ristiq, Branimir Stojanoviq, Mika Bishevac e të tjerë,” kishte thënë ai.
Ndërkohë, më 9 mars të këtij viti, kryeministri në detyrë Albin Kurti e kishte përmendur me emër e mbiemër Ristiqin si të lidhur me shërbimet e inteligjencës serbe.
Në një konferencë për medie bashkë me ministrin e tij Nenad Rashiq, Serbia ishte akuzuar se kishte ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
“Deputetët e opozitës në Kuvendin e Serbisë, me prejardhje nga Kosova, gjithashtu kanë qenë të përfshirë në ndërhyrjet nga jashtë në zgjedhjet tona parlamentare. Zharko Ristiq, nën udhëzimet dhe direktivat e shërbimeve serbe të inteligjencës dhe pushtetit në Beograd, ka ndikuar në përçarjen e liderëve të partive të tjera serbe, rivale të Listës Serbe, në kohën kur partitë ndodheshin në përgatitje të fushatës së tyre zgjedhore,” kishte thënë Kurti asokohe.
“Ristiq, duke u shtirur se është për bashkimin e këtyre në një listë të vetme, përmes ndërhyrjeve të ndryshme, në fakt e ka bërë saktësisht të kundërtën e kësaj – përçarjen e tyre, pra në emër të bashkimit i ka përçarë. Bashkimi eventual në një listë të vetme do t’ia rrezikonte substancialisht mandatet Listës Serbe.”