“Ndihmat sociale amerikane na mbajnë gjallë”, dyshohet të ketë thënë për rrjetin mediatik amerikan “ABC7”, ikona e muzikës shqipe, Parashqevi Simaku, intervistë kjo e cila e riktheu në qendër të vëmendjes në mediat shqiptare, raporton GazetaDemos.
Simaku, e cila pushtoi trevat shqiptare me zërin brilant dhe një bukuri mahnitëse, la Shqipërinë më 1991, për t’iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atje ku synonte t’iu bashkohej ëndërrës holivudiane.
Fatkeqeësisht, një gjë e tillë nuk ndodhi. Madje, për Simakun filluan problemet edhe në jetën e saj personale, kështu duke u divorcuar nga bashkëshorti amerikan më 2006, me të cilin ka një djalë.
Larg mediave rozë, Simaku pothuajse u “harrua”, ndonëse në 15 vitet e fundit, disa nga gazetarët e Shqipërisë thonë se kishin informacione për gjendjen e rënduar psikike e financiare të ish-këngëtarës.
Madje, gjatë ditës së djeshme, në një video të gazetarit Bledi Fevziu, raportohet se ky lajm për shqiptarët e Amerikës ishte i njohur tash e disa vite, të cilët edhe iu kishin ofruar për ndihmë, të cilën Simaku thuhet se e kishte refuzuar, sidomos nga shqipfolësit.
“Biznismen të rëndësishëm amerikanë, njerëz të njohur të NewYork-ut, më kanë kontaktuar dhe më kanë thënë që kanë vënë në dispozicion avokatët e tyre apo njerëz të cilët merren me gjetjen e personave, sepse në momentin që personat i kanë folur asaj, e kanë njohur apo folur shqip, ajo reagon dhe largohet, nuk don t’i kontaktojë. Ata janë duke e kërkuar për ta gjetur ku është, me se merret, dhe padyshim është në dinjitetin e shtetit shqiptar t’i ofrojë një pension normal, si një artiste e cila ka lënë gjurmë në artin shqiptar”, tha Fevziu.
Ndërsa, edhe sipas gazetari nga Shqipëria, Flavio Qarri, Parashqevi Simaku, tash e 15 vite ka qenë në një rëndes psikike dhe ekonomike.
Edhe Qarri tha se shqiptarët e Amerikës i janë afruar për ndihmë, të cilën ish-artisja e ka kundërshtuar.
”Që Parashqevi Simaku ka qënë në gjëndje të rënduar psikologjike dhe rrjedhimisht financiare është sekret publik prej 15 vjetësh. E dinë shqiptarët e Amerikës dhe shumica e qarqeve të gazetarëve. Shumë janë afruar për ta ndihmuar në privatësinë e shenjtë për të. Nëse doni ta ndihmoni, ajo e ka treguar prej kohësh si e do ndihmën. Ta lënë rehat. Nuk do e dimë kurrë se çfarë i ndodhi yllit më të shndritshëm të skenës shqiptare që humbi rrugës veten dhe shkëlqimin e saj. Donacioni që mund të bëjmë është të ruajmë dinjitetin e kulmit të saj, dhe të kursejmë përdhunimin e rënies”, ka shkruar Qarri.