Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, nuk beson se kryeministri Albin Kurti do ta nënshkruajë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, por nuk pajtohet me një kritikë që opozita ia bën shefit të Ekzekutivit.
Shala tha në Pressing në T7 se është i duhur insistimi i Qeverisë për implementimin e marrëveshjeve të mëparshme dhe se nuk pajtohet me opozitën kur ajo e kritikon Kurtin se ka rrëshqitur në dialog teknik me Serbinë.
“Kjo qeveri është marrë me disa çështje për të cilat ne me Serbinë kemi marrëveshje. Dhe ka insistuar që të implementohen marrëveshjet dhe kjo është një gjë e drejtë, dmth është gjë e duhur. Kolegët e mi të opozitës e përshkruajnë si një lloj rrëshqitje apo kthim të procesit teknik, dialogut teknik e çështjeve teknike. Unë dialog teknik me Serbinë nuk kam parë asnjëherë. Pra, edhe çështjet e natyrës teknike nuancohen politikisht dhe gjithçka është politike”, ka thënë Shala.
“Ky është proces politik. Ndryshe do ta zgjidhnin ekspertët, specialistët, jo kryeministri ynë dhe presidenti i Serbisë. Pse do të duhej të merreshin ata me këto çështje? Pra janë çështje të rëndësishme, kanë peshë jashtëzakonisht të madhe”, ka shtuar deputeti i LDK-së.
Shala tha se kryeministri ka ngecje në një pikë tjetër.
“Kryeministri s’e kupton që kur insiston për një marrëveshje në atë proces, pala tjetër insiston edhe për tjetrën që i shkon për shtat asaj. Dhe në këtë pikë ka një ngecje. Pra, ka një lloj përparimi në pikat, në marrëveshjet në të cilat insiston qeveria jonë, por jo në marrëveshjet apo në pikat të cilat i interesojnë më shumë qeverisë dhe presidentit të Serbisë. Dhe kryeministrit të Kosovës i kërkohet një lloj balancimi, të cilin unë nuk e di se si do të mund ta bëjë”, tha ai.
Shala tha se tani është krijuar një kontekst i cili, ai beson se do t’iu japë dinamikë më të gjerë dhe më të shpejtë çështjeve të dialogut.