Zyra e Presidentes Vjosa Osmani ka dalë me një reagim lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi sot në Gjilan
Në reagim bëhet thirrje që të kapen sa më shpejtë autorët e tri vrasjeve në Gjilan, duke shtuar se “është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”.
Presidenca ka reaguar gjithashtu edhe për një fotografi të publikuar në media, ku Presidentja Osmani shihet përkrah Mefail Shkodrës dyshuar për rastin e vrasjes në Gjilan
Sipas sqarimit, fotografia është realizuar gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë.
“Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë”.
“Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje”, thuhet në reagim.