Sot ka vazhduar procesi i gjykimit ndaj Andi Pajazitit, të akuzuarit për vrasjen e Kastriot Ramadanit, gjatë vitit 2023, në lokalin e njohur “BonVivant”, raporton GazetaDemos.
Në dosjen e Prokurorisë, teksa përshkruhet rasti thuhet se i pandehuri, Dukagjin Nikollaj, tashmë i arratisur, bashkë më tani të ndjerin Ramadani, e kishte ftuar të akuzuarin Andi Pajaziti që të ulet te tavolina e tyre, ku pas tensionimit të situatës ishte përdorur arma e zjarrit nga të dyja palët.
Pajaziti i cili sot u pyet nga mbrojtja e palës së dëmtuar, tha se nuk i kujtohet se me çfarë arme e kreu vrasjen dhe se ku mbet ajo pas gjuajtjes.
GazetaDemos iu sjell pjesë nga procesi i dëshmisë dhe marrjes në pyetje ndaj Andi Pajazitit nga pala mbrojtëse e palës së dëmtuar:
Avokati mbrojtës: Çfarë arme dhe çfarë kalibri i armes ka pasur?
Andi: Nuk e di dhe nuk më kujtohet çfarë kalibri ka qenë.
Avokati i palës së dëmtuar: Në deklaratën në Prokurori më datën 26.09.2023, faqja 4, në rreshtin e tretë keni thënë se arma që e kam pasur është e tipit Smith e kalibrit 9 milimetra.
Andi: E mbështes deklaratën, por në detaje nuk po më kujtohet tash se ka kaluar një kohë e gjatë.
Avokati i palës së dëmtuar: A ju kujtohet ku ka mbetur ajo armë?
Andi: Nuk më kujtohet tash, ose më ka rënë rrugës, apo ka mbetur në vendin e ngjarjes, ose ka mundur edhe gjatë rrugës për spital, nuk më kujtohet.
Andi: I kam njohur sigurimin e atij lokalit, sepse e kam vizituar shpesh. Kastrioti kurrë nuk ka qenë roje aty dhe sigurimi rrijnë tek dera e jo nëpër tavolina.