Sot kur janë bërë tri vjet nga prezantimi i shtesave për lehonat dhe fëmijët, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka shkruar për zhvillimin e kësaj mase mbështetëse.
Murati ka thënë se nga një premtim për të cilin u ngritën dyshime se s’realizohet, tani mbi 10 milionë euro shkojnë në llogaritë e familjeve me fëmijë, çdo muaj.
Ai ka thumbuar opozitën për kritikat rreth kësaj mase dhe skepticizmit për zbatimin e saj, duke theksuar çështjen e sigurimit të buxhetit.
“Në fillim na thanë që s’do ta përmbushnim këtë premtim sepse nuk kishte buxhet. Ku do t’i merrni 50 milionë euro, thanë! Përgjigjen e kishim të thjeshtë: do t’a ndalim hajninë, dhe buxheti bëhet vetvetiu. Nëse në të kaluarën sigurohej buxheti për të paguar 53 milionë euro ndëshkime, pse do duhej të ishte e pamundur të siguroheshin 50 milionë euro për nëna dhe fëmijë?!”
“Pastaj, kur e siguruam buxhetin dhe filluam zbatimin, thanë “eh po, 10 euro s’janë asgjë, nuk mjaftojnë”, duke harruar që ata vetë për 20 vite nuk arritën as këto 10 euro t’i jepnin si mbështetje për fëmijët. Kur e panë që nënat dhe fëmijët e mirëpritën mbështjetjen, anipse ishte vetëm 10 euro, cinikët thanë, “eh po, banka po ua merr 3 euro” thuajse para shtesave nuk kishte pasur tarifa bankare. Por, e rregulluam edhe këtë problem duke lansuar llogaritë bazike pa pagesë, ose me pagesë simbolike”, ka shkruar Murati.
Murati ka përmendur edhe rritjen e shtesave.
“Dhe sivjet, në vitin e tretë të zbatimit të masës, i rritëm shtesat duke i dyfishuar në 20 euro për fëmijë, për familjet që kanë deri në dy fëmijë, dhe duke i trefishuar në 30 euro për fëmijë për familjet me 3 apo më shumë fëmijë”, ka shkruar Murati.