Këshilli Prokurorial i Kosovës ka publikuar rezultatet lidhur me konkursin për kryeprokurorë nëpër komunat e Kosovës.
Në Prokurorinë Themelore të Pejës po prin Ersan Qavolli, me 91.8 pikë në intervistën për Kryeprokuror. Pas tij qëndrojnë Lumturije Vuçetaj me 88 pikë dhe Sanije Gashi- Seferi me 71 sosh.
Prokurori Petrit Kryeziu, në anën tjetër si kandidati i vetëm në intervistën për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren ka thyer rekord në rezultatin e intervistës.
Ai ka grumbulluar gjithsej 97.6 pikë.
Kryeziu është kandidati që ka marrë më së shumti pikë që prej themelimit të KPK’së.
Prokurori Arben Kadriu si kandidati i vetëm për Kryeprokuror të Gjilanit ka mbledhur gjithsej 93.6 pikë në intervistë.
Ndërkaq për Kryeprokuror të Ferizajt garës bindshëm po i prin Burim Çerkini. Ai ka marrë 93.4 pikë në intervistën për Kryeprokuror, kurse kundërkandidati i tij Ismet Rrahmani 76 sosh.
Ndërkaq, në Mitrovicë siç duket ka dështuar konkursi për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, meqë të dy kandidatët kanë marrë më pak se 70 pikë në intervistë.
Garë e ngushtë ka qenë për kryeprokuror të Prokurorisë së Apelit. Agron Bajrami prin listën e kandidatëve, me 78.4 pikë në intervistë për kryeprokuror të Apelit.