Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu, ka thënë se nuk mund të ketë themelim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ashtu siç e kërkon Serbia.
Kryeziu tha në RTV Dukagjini, se marrëveshja mbi Asociacionin është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe rrjedhimisht është e papranueshme.
“Nuk do të thoja se është kërkesë eksplicite themelimi apo respektimi i marrëveshjes për Asociacionin sepse po bëhet fjalë, e kemi përsëritur disa herë dhe po e përsërisim prapë, po bëhet fjalë për një marrëveshje që bie ndesh, që është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese sepse ka mospërputhje me disa nene të saj dhe kjo është e parealizueshme…Nuk mund të ketë Asociacion të këtillë siç e kërkon Republika e Serbisë”, ka deklaruar Kryeziu.
Kryeziu ka folur edhe për videon e djeshme të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje ku sulmohen pushtet e kaluara.
Deputetja Kryeziu thotë se të njëjtit nuk kanë lejuar që Kosova të bëjë hapa përpara.
“Pse është e nevojshme sepse mendoj që na kanë lënë shumë mbrapa. Ne nuk kemi ecur, nuk kemi pasur mundësi të ecim pikërisht prej këtyre figurave publike që ju i shihni në videon e fundit të nxjerrë prej LVV-së që, dorën n’zemër, nuk është asgjë e jashtzakonshme. Unë jam e bindur që për secilin prej tyre, edhe një qytetar më të thjeshtin ta pyesësh të jep përgjigje të njëjta”, ka deklaruar ajo.