Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka folur për ikjen e mjekëve nga Kosova, pakënaqësitë me vlerën e koeficientit të Ligjit të Pagave, e kushtet e punës së mjekëve në Kosovë.
Ai thotë se 80 për qind e mjekëve janë të pakënaqur me vlerën e koeficientit dhe pritjet kanë qenë për vlerën 120.
“Sa i përket koeficientit po atë ditë kemi bërë sondazh me anëtarësinë se sa është pakënaqësia me të, ku kemi pasur dhe kritika se si u arrit brenda ditës të bëhet aq shpejt por që sondazhet me anëtarësinë online mund të bëhen brenda orësh dhe kemi pasur një pakënaqësi prej 80 për qind, ku 55 për qind kanë qenë aspak të kënaqur, ndërsa rreth 30 për qind pjesërisht të kënaqur. Mjekët janë përgatitur për një koeficient jo më të vogël se 120 dhe nuk ka dalë ashtu, andaj ka pasur pakënaqësi”, thotë ai.
Pakënaqësi ka pasur edhe për rangimin e mjekëve me kategori tjera që sipas kritereve të përcaktuara nga ministria, nuk janë të të njëjtit nivel.
“Sa i përket renditjes, kemi bërë mjaft kushtimisht “luftë” për renditjen tonë, në fillim kanë qenë të draftit jo aty ku kemi qenë, 12 dhe krahasim me të tjerët të përafërt me neve por kemi arritur deri diku pritshmëritë dhe kërkesat tona. Ajo që ka ndodhur është që na janë bashkuar kategori të punëtorëve shëndetësorë që nuk janë të nivelit tonë, sipas karaktereve të caktuara nga Ministria që janë, sepse nuk mund të jenë në kategori me ne psikologët klinikë, qofshin ata edhe të specializuar. Andaj kemi pasur pakënaqësi dhe ka mundësi që t’i drejtohemi Avokatit të Popullit sepse ai parim është shkelur në këtë rast”, vlerëson Sejdiu për Gazeta Blic.
Se a mund të hidhet poshtë ligji i pagave për shkak të ankesave që janë bërë te Avokati i Popullit, ai mendon se vlera e koeficientit nuk mund të kontestohet por që ankesë te Avokati i Popullit mund të bëjnë për rangimet.
“Mendoj që vlerën e koeficientit nuk mund ta kontestojë askush sepse ajo është fuqia financiare e prezantuar prej Qeverisë dhe kontestimi i saj është diskutabil. Por, çështje që kanë të bëjnë me shkelje të parimeve, të rangimeve, po, ato mund të bëhen dhe të shikojmë, nuk mund të presupozojmë”, thekson ai.
Sejdiu tregon se trendi i largimit të mjekëve po vazhdon, ku për dy muajt e këtij viti janë larguar 46 mjekë, që është numër më i lartë se vitin e kaluar, teksa ai tregon dhe arsyet që mjekët që largohet paraqesin.
“Trendi i largimit po vazhdon. Në këta dy muaj kemi 46 mjekë që kanë paraqitur dokumentacionin tek ne, janë në largim e sipër, llogariten që veçse janë larguar dhe ky numër është më i madh se vitin e kaluar. Vitin e kaluar kemi pasur 210 për një vit dhe nëse shkon kështu siç ka nisur, deri në fund të vitit mund t’i kemi rreth 300 që janë larguar dhe pagat janë një ndër tri arsyet që ata që largohen i kanë paraqitur. Shumica e atyre që largohen janë të papunë, i kemi 360 mjekë të papunë, që janë lajmëruar tek ne si të papunë, pastaj tjetra është kushtet e punës, ku nuk mund të pritet së paku në dy vitet e ardhshme të bëhen ndryshime substanciale që t’i bindin kolegët që të rrinë këtu. Dhe çka është më rëndësi është që shumica nuk shkojnë vetëm për vete, për arsye të veta por e ka edhe perspektivën e mëtutjeshme, të vetes po edhe të familjës. Këto janë ato që i japin si arsye dhe qëndrojnë”, deklaron kryetari i Odës së Mjekëve.
Sipas Sejdiut, vlera e koeficientit nuk është motivim shtesë për ta lënë Kosovën por që është dëshpërim pasi do të ndikojë te mjekët e moshës mbi 55 vjeç, të cilët kanë tendenca të shkojnë në sektorin privat.
Ai tregon se si duhet të veprohet që të parandalohet ikja e mjekëve nga Kosova.
“Cilado qeveri që të vie, duhet ta zvogëlojë numrin. Edhe këto arsyet që ata vetë i japin, ata që largohen, është shumë lehtë që të orientohen forcat e qeverisë, në përmirësimin e kushteve të punës, dhënien e stimulimit jo vetëm financiare por edhe me shkollimet, subspecializime, profilizime, jashtë Kosovës, me kushtin që të kthehen prapa, janë ato që do t’ua thyente mendjen një pjese të mëzo moshës, sidomos do t’ua jepte një perspektivë të rinjve që të vazhdojnë këtu, por derisa kemi 360 mjekë pa punë, niveli primar as që lëviz diçka ndjeshëm që ata të punësohen, që rregullohet infrastruktura e specializimit, atëherë këto gjëra nuk mund të rregullohen”, potencon Sejdiu.
Ai shton se 60 për qind të atyre që largohen janë të papunë, 28-30 për qind janë specializantë dhe ikja e tyre duhet të rregullohet përmes kornizës ligjore.
Lidhur me punën e ministrive të shëndetësisë deri tani për sistemin e shëndetësisë, ai kritikon të gjithë ministrat që vazhdimisht kanë dashur ta ndryshojnë kornizën ligjore, pa e ditur se sa është e mirë apo sa është implementuar.
“Korniza ligjore është e mirë por nuk kemi parë tash e sa vite sa është funksionalizuar oda, nuk kemi parë vullnet politik që të zbatohen të gjitha ligjet që janë në fuqi. Çdo ministër që ka ardhur ka thënë ta ndërrojmë ligjin, ende pa e ditur në të vërtetë se sa pjesë është zbatuar e çka nuk është zbatuar, pse nuk është zbatuar, një analizë, por të gjithë kanë ardhur duke thënë ta ndërrojmë ligjin dhe ai është vullnet politik dhe fatkeqësisht që nga viti 2018 kemi pasur shuë ndërrime të ministrave, sado që ministria Vitia është rikthyer por ka qenë ndërpreje, që ka shkaktuar dëme të mëdha. Një administratë e ministrisë së shëndetësisë që lë shumë për të dëshiruar sa i përket kapaciteteve profesionale për politikë bërje dhe në një mënyrë një kohë e gjatë e mbylljes së ministrisë. Po ashtu ka ndikuar edhe puna e pandemisë pasi nuk ka pasur mundësi për ecje përpara, por që një vullnet politik që të zbatohen ligjet, ato që janë përmes analizave, mund të bëhet, të ecet përpara. Nëse shkohet vetëm duke thënë të ndërrojmë ligje, ajo është një katastrofë që do të vazhdojë. P.sh e kemi ligjin për sigurime shëndetësore që është miratuar në vitin 2006 dhe nuk është bërë asgjë që atëherë, pasi secili që ka ardhur ka dashur ta ndërrojë, pa e ditur a është i mirë apo i keq, apo pse nuk po implementohet, ku janë pengesat dhe çdokund në botë, një ligj që nuk është i mirë bëhet plotësim ndryshim dhe modifikohet”, deklaron kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.