Kryetarët e komunave në Kosovë zakonisht kanë pakënaqësi karshi raportit të tyre me nivelin qendror.
Edhe kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi ka thënë në Klan Kosova se gjithmonë ka pasë zbehje të komunikimit mes nivelit lokal dhe atij qendror.
“Si duket në këtë qeverisjen e fundit kjo shkëputja është pak më e theksuar se çdo herë. Duhet të kuptojmë që pa bashkëpunim të nivelit qendror dhe lokal nuk mund të arrihet qëllimi i shërbimit ndaj qytetarëve”.
“Nga dy vitet e qeverisjes nuk kemi pasë ende ministër në institucionet komunale, me përjashtim të një prerje të shiritit të një salle sportive që nuk ka qenë në komunë, por direkt te salla sportive”.
Por, këtë javën e fundit pati vizita, pas rasteve të dyshimit për helmimin e rreth 200 qytetarëve nga uji i pijes.
“Këtyre ditëve kemi pasë një vizitë nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Ministri i Pushtetit Lokal, kemi pas zëvendësministrin e Ekonomisë dhe këshilltarin e Ministrit të Punëve të Brendshme”.
E për këtë lloj raporti i pari i Kaçanikut në “Sytë 7” në Klan Kosova tha se “komunat e vogla, jemi si zorra qorre”.
“Vetëm kur kemi problem, institucionet drejtohen. Nuk dua ta akuzoj vetëm këtë qeveri, por edhe qeverisjet e kaluara. Jemi në vitin e katërt që po futemi dhe Komuna e Kaçanikut nuk ka asnjë projekt të ri nga niveli qendror”.
Sipas tij, janë vetëm disa projekte që kanë qenë vazhdimësi e viteve të kaluara.