Nëse të hyrat vetjake të një komune gjatë vitit nuk shpenzohen, ato do t’ju merren e dhurohen komunave tjera e ose do të gjejnë përdorim në nivelin qëndror. Kjo gjë është për t’u kritikuar pasi është hera e parë në histori të Kosovës që komunave u merren këto të hyra, konsideron Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Me Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, Ibrahimi pohon se Qeveria e Kosovës pa koordinim as me komunat e as Asociaiconin e Komunave të Kosovës në nenin 9 ka futur pikën 6 që mjetet financiare të cilat komunat nuk i kanë shpenzuar deri në përfundim të vitit të kaluar t’i merren.
“Nëse bëhet një veprim i tillë bije ndesh me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe me Ligjin për financat lokale”, i ka thënë ai agjencionet të lajmeve Ekonomia-Online.
Ky nen, thotë prerazi Ibrahimi, “duhet të hiqet”.
“Komunat kanë autonomi të plotë në baze të këtyre dy ligjeve që mjetet të cilat burojnë nga të hyrat vetanake edhe nëse nuk shpenzohen të barten në vitin e ardhshëm. Në bazë të analizave tona këtu janë më dhjetar miliona euro”.
“Qeveria e Kosovës është duke i penalizuar komunat. Ne kërkojmë që qeveria ta heqë atë pik, sepse kjo është e pa drejtë, nëse një veprim i tillë do të ndodh atëherë kryetarët e komunave dhe AKK-ja do të ndërmarrin nisma ligjore që kjo të ndalohet”, vazhdon më tej ai.
Këtë situatë, Kryetari i AKK-së e quajti “të padrejtë e të paligjshme” derisa drejtoi akuza ndaj Qeverisë se është e para që “mundohet që të hyrat vetanake të komunave t’i marr dhe t’i transferoj ato në nivel qendror”.
“Është e pa drejt që mjetet e një komune t’i merren dhe t’i dhurohen një komune tjetër, sepse ato mjete janë marr nga qytetarët e asaj komune përkatëse dhe për këtë arsye duhet qind për qind i dedikohen qytetarëve të cilët jetojnë në ato komuna, e jo të shpërndahen në komuna tjera apo për nevoja të nivelit qendror sepse po e shohim se niveli qendror nuk është duke i harxhuar mjetet për investime kapitale”, tha ai.