Në prag të ardhjes së bashkatdhetarëve për pushimet verore, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar për një sërë masash që kanë për qëllim të lehtësojnë shërbimet dhe qasjen për qytetarët gjatë muajve të verës.
”Drejtoria për Administratë të Përgjithshme do të ofrojë shërbime për qytetarët edhe të shtunave, duke filluar nga 5 korriku deri më 31 gusht, nga ora 09:00 deri në 14:00. Gjithashtu, gjatë ditëve të zakonshme të punës, shërbimet do të jenë në dispozicion edhe gjatë orarit të pauzës, me qëllim që qytetarët të mos humbin kohë duke pritur”, tha ai.
Kryetari Idrizi njoftoi gjithashtu se është marrë vendim për shfrytëzimin pa pagesë të oborreve të disa shkollave në qytet për parkimin e veturave, gjatë muajve korrik dhe gusht.