Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i është përgjigjur kritikave të kahmotshme të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili disa herë e ka përmendur me emër gjatë deklarimeve në Kuvend, duke e akuzuar për mungesë suksesi si prokuror.
Isufaj ka deklaruar se nuk dëshiron të komentojë nivelin e sulmeve politike, por prezantoi statistika konkrete për punën e tij shumëvjeçare në sistemin e drejtësisë.
“Shiko… nivel i ulët më duket me e komentu këtë. Por, vetëm një gjë dua me thanë. Në karrierën time prej vitit 2010 jam prokuror, dhe vazhdimisht kam qenë prokuror i Krimeve të Rënda ose i Prokurorisë Speciale. Për mos me ekzagjeru, për këto vite i kam ngritur diku 300 aktakuza. Me dijeninë time, vetëm 6 i kam të refuzuara gjatë karrierës. Që performanca i bie diku 97% aktakuza të aprovuara në gjykatë. Kjo është lehtë e verifikueshme”
I pyetur nëse Kurti është në dijeni të këtyre të dhënave, Isufaj u përgjigj prerazi.
“As që më intereson nëse e din apo jo. Unë jam i sigurt se ai nuk shërbehet me fakte, por me thashetheme. Sepse po të shërbehej me fakte, ai nuk do të duhej të thoshte ashtu. Mos e harro një fakt – a folëm më herët për terrorizëm – unë kam qenë ai që i ka arrestu 40 e më shumë persona, unë kam qenë ai që i kam akuzu mbi 30, krejt janë të dënuar. Ky është një fakt në mesin e shumë fakteve të tjera”, deklaroi ai, për emisionin “KallxoPërnime”.
Përballë kritikave se nuk është marrë me korrupsion apo hetime të nivelit të lartë, ai theksoi se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuza edhe ndaj ish-zyrtarëve të lartë qeveritarë.
“Nuk kanë të drejtë ta thonë këtë gjë. Ju e dini – pesë ish-ministra të qeverive të kalume i kemi me aktakuzë. Ne i prezumojmë të pafajshëm, por sipas bindjes sonë, ata kanë plotësuar standardet për t’u akuzuar. Ka edhe zëvendëskryeministër, është i akuzuar edhe ish-drejtori i AKI-së. Këta kurrë nuk janë pjesë e kësaj qeverie, sikur tentohet shpesh me thanë se po na hetoni vetëm neve”, përfundoi Isufaj.
Gjatë një seance plenare, në prill të vitit 2023, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për të cilin kishte thënë se nuk e ka fituar asnjë rast në gjykatë dhe ka përmendur rastin e Dino Asanajt, për të cilin tha se nga vrasja e ka kategorizuar në vetëvrasje, dhe për rastin “Sopi”, të cilin sipas kryeministrit, Isufaj e ktheu nga vetëvrasja në vrasje.