Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ndodhen më 24 tetor në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.
Njësoj si më herët, rundi i ri nisi me takime dypalëshe. I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, së pari është takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Më pas, ai nisi takimin me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, raporton Radio Evropa e Lirë.
Nëse do të ketë vullnet nga palët, më pas mund të zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh.
Lidhur me këtë takim në nivel kryenegociatorësh, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të mërkurën se temë do të jetë Marrëveshja e Ohrit.
“Agjenda është siç ka qenë në të kaluarën që urgjentisht të startohet me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe për nevojën që të dyja palët të bien dakord që të arrihet progres në dialog”, ka thënë Stano për Klankosova.
Ndërsa për takim trilateral, Stano është shprehur se “Nëse do të ketë takim trilateral varet në vullnetin e palëve”.