Gjatë një adresimi në Këshillin e Evropës, ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërlliq Radman, ka shprehur mbështetje të qartë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.
Radman vlerësoi se pranimi i Kosovës do të ishte një hap strategjik për të përforcuar praninë dhe ndikimin e Këshillit të Evropës në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se përfshirja e Kosovës në këtë mekanizëm do të ndihmonte në avancimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e demokracisë në rajon.
“Anëtarësimi i Kosovës do të kontribuonte në përmbushjen e misionit të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e të drejtave themelore në çdo cep të kontinentit”, deklaroi Radman, duke shtuar se mungesa e Kosovës krijon një boshllëk institucional që duhet të tejkalohet.
Kroacia, një nga shtetet që ka njohur Kosovën që në vitin 2008, ka qenë vazhdimisht përkrahëse e përpjekjeve të saj për integrim në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare.