Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, ka dhënë dorëheqjen pasi një mbledhje e kabinetit dështoi të binte dakord për sanksionet kundër Izraelit.
“E shoh se nuk jam mjaftueshëm në gjendje të marr masa shtesë kuptimplote për të rritur presionin mbi Izraelin”, ka thënë Veldkamp, pasi një debat i kabinetit mbi sanksionet e mundshme kundër Izraelit u bllokua.
Muajin e kaluar, Veldkamp i shpalli ministrin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, të padëshiruar në Holandë, duke i akuzuar ata për nxitje të dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor dhe spastrim etnik në Rripin e Gazës.
Ndërkohë të enjten, Veldkamp tha se donte të ndërmerrte hapa të mëtejshëm kundër Izraelit, por më vonë pranoi se i mungonte besimi se mund të vepronte në mënyrë efektive në javët ose muajt e ardhshëm.
Ministri thotë se hapat që kishte propozuar u “diskutuan seriozisht”, por hasën rezistencë në mbledhjet e njëpasnjëshme të kabinetit.
“Ndihem i kufizuar në përcaktimin e kursit që e konsideroj të nevojshëm si ministër i jashtëm”, citohet të ketë thënë ai.
Holanda ishte midis 21 vendeve që nënshkruan një deklaratë të përbashkët të enjten duke dënuar miratimin e Izraelit për një projekt të madh vendbanimesh në Bregun Perëndimor si “të papranueshëm dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.