Lulzim Berisha, kryetar i tifo-grupit “Dardanët”, ka mohuar ta ketë ofenduar pas ndeshjes kapitenin Amir Rrahmani, ndonëse pamjet nuk tregojnë një gjuhe shoqërore të “Lulit”.
Berisha e ka quajtur thjeshtë diskutim bisedën me Rrahmanin, teksa ka mohuar të ketë probleme me ndonjërin nga futbollistët.
“Pas raportimeve të fundit mediale, si kryetar i Dardanëve dhe në emër të krejt tifogrupit, dëshirojmë t’i kërkojmë falje kapitenit tonë Amir Rrahmanit dhe çdo lojtari apo stafit të përgjithshëm, nëse është ndier i ofenduar nga ndonjë keqkuptim apo nga ndonjë fjalë e lëshuar nga dikush prej tifozëve, që jo domosdoshmërisht nënkupton se është pjesë e Dardanëve. Qëllimi im si Lul nuk është të ofendoj askënd nga lojtarët. Të njëjtën gjë mund ta them edhe për kryesinë tonë të tifogrupit. Ne kemi qenë në çdo vështirësi të Kosovës pranë kombëtares sonë dhe këtyre lojtarëve. Kemi qenë edhe kur të tjerët i kanë sharë. Kemi qenë dhe i kemi mbrojtur e përkrahur në Shkodër, Mitrovicë, Prishtinë apo kudo në Evropë. Kosova është mbi secilin. Ne jemi për ta mbrojtur interesin e kombëtares. Prandaj, edhe nëse dikush nga kombëtarja apo stafi është prekur, ta pranojnë kërkimfaljen tonë. Qëllimi ynë është fisnik që nga dita e parë. Do të jemi gjithmonë tifozët besnikë pranë kapitenit Rrahmani, lojtarëve dhe trajnerit. Sepse Kosova është ajo që na bashkon dhe që na bën ditën, javën, muajin dhe vitin më të bukur. Gabimet jo dashakeqe nuk përjashtojmë rastin që mund të kenë ndodhur. Konstantja që mbetet është dashuria për Kosovën.”, thuhet në reagim