Kremlini tha të martën se akuzat serioze që Franca i ka paraqitur kundër shefit të platformës “Telegram”, Pavel Durov, do të shihen si përpjekje për ta kufizuar lirinë e komunikimit, nëse ato nuk mbështeten në dëshmi serioze.
Durovi, miliarder rus, u arrestua në Francë në fundjavë si pjesë e një hetimi për krime të ndërlidhura me fotografi të abuzimit seksual me fëmijë, trafikim droge e transaksione mashtruese në aplikacionin “Telegram”, thanë të hënën prokurorët francezë, raporton agjencia “Reuters”.
Agjencia “Reuters” nuk ka arritur që të kontaktojë me një avokat të Durovit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, iu tha gazetarëve në një konferencë se Rusia është e gatshme për t’ia ofruar Durovit tërë asistencën e nevojshme, duke e marrë parasysh shtetësinë e tij ruse, por shtoi se shtetësia franceze e Durovit e ndërlikon situatën.
Durovi ka edhe pasaportë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Akuzat janë vërtet shumë serioze. Ato kërkojnë bazë jo më pak serioze të dëshmive. Në të kundërtën, ato do të jenë një përpjekje e drejtpërdrejtë për ta kufizuar lirinë e komunikimit” – tha zëdhënësi i Kremlinit.
Rusia në të kaluarën është përpjekur që ta bllokojë rrjetin “Telegram”, por ka dështuar dhe e ka ndëshkuar disa herë kompaninë për mosfshirje të përmbajtjes që autoritetet e kishin cilësuar të paligjshme.
Peskovi tha se rasti i Durovit mund të shihet si frikësim i një kreu të një kompanie të madhe dhe mund të hedhë dyshime mbi pohimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, që nuk ka motiv politik prapa arrestimit të Durovit.