Drejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Adnan Rukiqi dhe Prokurori i Shtetit, Isuf Sadiku, kanë mbajtur konferencë për media lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi sot në mes të ditës në Gjilan.
Rukiqi ka bërë të ditur se po ndërmirren të gjitha veprimet hetimore të nevojshme për lokalizimin dhe arrestimin e tre personave të dyshuar në këtë rast, Mefail Shkodrës, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra.
“Është bërë kërkesa edhe për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare, gjithashtu policia ka ndërmarrë tri kontrolle me dyshimin se mund të jenë personat e dyshimtë”, ka thënë Rukiqi.
I njëjti ka bërë me dije për mediat se i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra, ka precedent penal dhe është i njohur për organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.
“Ai ka pasur pesë raste të ‘Sulmit’, dy raste ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’, tri raste për ‘Fajde’, ‘Mashtrim’ në një rast, ‘Kërcenim’ në tri raste, ‘Shantazh’ në një rast, ‘Detyrim’ në dy raste, ‘Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ në një rast dhe ka 31 raste të kundërvajtjes. Për të gjitha këto raste, policia ka ngritur kallëzime penale dhe çështjet janë përcjellur në Prokurori dhe Gjykatë”, ka deklaruar Rukiqi.
Ndërkaq, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, ka deklaruar para mediave se menjëherë pas pranimit të informacionit, ka dalur në vendin e ngjarjes dhe në bashkëpunim me policinë kanë marrë veprimet fillestare.
“Janë realizuar disa urdhërkontrolle, pasi që të njëjtit kanë qenë të njohur për organet e drejtësisë, por të dyshuarit nuk janë gjetur aty”, ka thënë Sadiku.
Sa i përket motivit të ngjarjes, Sadiku ka deklaruar që është herët që të japin informacione, pasi që pritet të merren në pyetje edhe të dëmtuarit.
“Ditëve në vijim do të merren në pyetje të dëmtuarit në rast, që të shohim nëse të njëjtit na ofrojnë ndonjë sinjal që të kuptojmë motivin apo të shohim nëse rasti ka ndodhur aty për aty”, ka deklaruar Sadiku.
Në ngjarjen e sotme që ndodhi në Gjilan, janë plagosur katër persona në total, tre prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërkaq dy të tjerë në spitalin rajonal të Gjilanit.
Personi katërt i plagosur gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po vazhdon trajtimin në QKUK-Prishtinë, ndërkaq personi i pestë është i lënduar me mjete të forta dhe jo me armë zjarri.
Tashmë janë bërë mbi 6 orë nga rasti i sotëm që tronditi Gjilanin, ndërkaq tre të dyshuarit janë ende në arrati.
