Është duke vazhduar “lufta” me flakët e përhapura në një ndërtesë në Emshir të Prishtinës. Vatra e zjarrit e cila ka nisur që në orën 20:00 ende nuk është lokalizuar totalisht, raporton GazetaDemos.
Ekipet e zjarrfiksëve e ato policore janë në vendin e ngjarjes ku dhe po merren me rastin.
Deri më tani përveç dëmeve materiale nuk raportohet për persona të lënduar.
Motivet që çuan në përhapjen e madhe të zjarrit ende nuk janë të qarta.
Zjarrfikësit po kryejnë intervenime me autobot në disa zona, teksa Policia i ka mbyllur disa rrugë përreth e jo vetëm për të mundësuar qarkullim më të lirshëm të tyre.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia, ku zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti rastin e cilësoi “incident zjarri”.
“Sot rreth orës 20:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë në lagjen Emshir në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit, të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme, nuk raportohet për persona të lënduar”, ka deklaruar Ahmeti.