Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka ngritur dyshime sa i përket vendimit për lirimin e Dejan Pantiq nga masa e paraburgimit në arrest shtëpiak.
Ai ka thënë për EkonomiaOnline se Qeveria duhet të tregojë nëse është e përfshirë në vendimin për lirimin e Pantiqit, derisa ka thënë se duhet të asryetojnë një gjë të tillë.
“I takon Qeverisë që të dal e të shpjegoj a ka qenë e përfshirë në diçka të tillë, sepse ajo që është diskutuar plot herë gjatë ditëve të fundit që Qeveria duhet të pajtohet me lirimin e të arrestuarit Pantiq në arrest shtëpiak në mënyrë që të të hiqen barrikadat. Nëse kjo është një marrëveshje e fshehur që e ka bërë Qeveria, mirë është që të na tregoj që ta arsyetoj këtë vendim”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq ai ka folur për situatën në veri të vendit, duke e konsideruar të tensionuar dhe sipas tij kjo ka nodhur për shkak të gabimeve të Qeverisë.
“Situata në veriun e vendit është mjaftë shqetësuese, fatkeqësisht në këto pothuajse tri javë nuk ka pasur një përmirësim, por përkundrazi ka shkuar duke u përkeqësuar gjendja. Shqetësimi im para së gjithash ka të bëjë me qytetarët atje sepse niveli i sigurisë ka shkuar duke rënë dhe në gjitha komunikimet që ne i kemi me banorët shqiptarë veçanërisht, e shohim që ka një rritje të frikës dhe normalisht që na vjen keq nëse kjo situatë nuk zgjidhet shpejt”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.
Ai ka thënë se Qeveria dhe Presidenca duhet ta kenë prioritetin numër një heqjen e barrikadave, duke shtuar se kjo duhet të bëhet vetëm në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
