Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të 42-të me radhë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, ai theksoi se pavarësisht mbledhjes edhe pas alarmit për bombë, Kuvendi ende nuk ka arritur të konstituohet, duke theksuar se kjo situatë po dëmton rëndë vendin.
“U mblodhëm edhe sonte, edhe pas një alarmi për bombë, për herë të 42-të me radhë. Fatkeqësisht, përsëri pa një përfundim pozitiv, të cilin po e presin qytetarët, e për të cilin ka shumë nevojë shteti,” shkroi Krasniqi.
Ai akuzoi një grup përfaqësuesish për “kryeneçësi politike” dhe shkelje të Rregullores, Ligjit dhe Kushtetutës, ndërsa shpreson që Gjykata Kushtetuese të vendosë sa më parë për ligjshmërinë e procedurës së votimit të fshehtë, të cilën e konsideroi jokushtetuese.
“Ne kemi zgjedhur Kushtetutën dhe Ligjin për t’i dhënë zgjidhje bllokadës – dhe aty do të mbështetemi deri në fund. Tym e zjarr për Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk kemi, ashtu siç kishte Kurti e Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën!”, përfundoi ai.