Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për pjesëmarrjen e tij vetëm virtualisht në Samitin e përbashkët të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Krasniqi Ka thënë se kreu i ekzekutivit zgjodhi të mbajë ligjërata boshe në Irlandë të Veriut, në vend se ta shfrytëzojë mundësinë ku Kosova mund të përfitojë qindra-miliona euro investime.
Kreu i PDK-së ka thënë se sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian. Ai e ka quajtur të “papërgjegjshëm e idhnak” Kurtin.
“Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i përbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në Planin e Rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar. Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla.
Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian. Një gjë është e qartë: me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen. Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane”, shkruan Krasniqi.