Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se draft-statuti i Asociacionit duhet të shkruhet me SHBA-në.
Ai tha se nuk pajtohet me drafin aktual. Sipas tij ky draft rrezikon funksionimin e shtetit të Kosovës.
“ Mendoj se është një draft i keq, i cili rrezikon absolutisht jo në ditën e themelimit të asociacionit, por 6 muaj ose 5 vjet pas me pasë një entitet i cili përveç e një autonomie politike e rrezikon edhe funksionimin shtetit të Kosovës dhe është fatkeqësi pse ka ardhur deri këtu , sepse ky është një tekst i cili e ka prodhuar Albin Kurti me mosveprimin e tij”, tha ai.
“Kurgjo pa amerikanë nuk ndodh, unë të nesërme e kisha fillu këtë proces me mirësjellje me kërkesë për ndihmë ekspertëve të SHBA-së…s’është e vonshme, nuk është bre shkencë ajo këta veç s’kanë deshtë, s’kanë ditë ose s’kanë guxu për një javë kryhet ajo punë”, tha ai.
Krasniqi në Rtv 21 shtoi se Kurti ka vepruar vonë me rastin e Manastirit të Deçanit, sipas tij nëse Kurti do ta ofronte drafti dy vite më herët do të ishte në rast me të favorshëm.
Ai është zotuar se në 100 ditëshin e parë të qeverisjes së PDK-së, do t’i bëhet resetim dialogut me Serbinë.
Ky draft-statut iu prezantua Kosovës dhe Serbisë më 21 tetor nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), Shteteve të Bashkuara (SHBA), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Më 3 nëntor, Kurti tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se përfaqësuesit e “pesëshes së madhe” i kanë kërkuar garanci se nuk do ta publikojë draft-statutin për t’i shmangur “keqpërdorimet”. Ai theksoi se mund ta paraqesë vetëm vlerësimin e tij politik, dhe se beson se dokumenti sqaron situatën në lidhje me njohjen e Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.