Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në kuadër të procesit parapërgatitor për organizimin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen gjatë këtij viti, ka pranuar shkresën njoftuese nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me numrin e anëtarëve të Kuvendit të Komunave.
Në njoftim KQZ shton se në përgjigje ndaj kërkesës së KQZ-së, shkresa njoftuese e MAPL-së bazohet në numrin e banorëve në komunat e vendit nga regjistrimi i popullsisë i realizuar në vitin 2024.
“Duke u mbështetur në nenin 36, paragrafin 1, të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, numri i anëtarëve në Kuvendin e Komunës të një komune duhet të jetë proporcional, varësisht nga numri i qytetarëve në komunë, me përjashtim të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, që sipas paragrafit 2, përbëhet prej 51 anëtarëve”, thuhet në njoftim.
KQZ ka dalë me sqarim shtesë për këtë duke thënë se nëse komuna i ka deri në 10.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 15 anëtarëve.
“Nëse komuna i ka prej 10.001 deri 20.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 19 anëtarëve. Nëse komuna i ka prej 20.001 deri 30.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 21 anëtarëve. Nëse komuna i ka prej 30.001 deri 50.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 27 anëtarëve”.
“Nëse komuna i ka prej 50.001 deri 70.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 31 anëtarëve. Nëse komuna i ka prej 70.001 deri 100.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 35 anëtarëve. Nëse komuna i ka më shumë se 100.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 41 anëtarëve”, thuhet në njoftim.