Këshilli Prokurorial i Kosovës duket se për së dyti ka vendosur që ta çojë për dekretim në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.
Raportohet se KPK-ja unanimisht ka vendosur për Isufajn.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, tha për Klankosova.tv se kanë pranuar një letër nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku.
“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, tha ai për Klankosova.tv
Më 17 tetor presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, vendosi që mos ta dekretojë emrin e Blerim Isufajt, për pozitën e kryeprokurorit.
Ajo tha se në këtë proces kishte vërejtur parregullsi të shumta.
Osmani kishte deklaruar se KPK, nuk mund ta dërgonte për herë të dytë emrin e Isufajt për dekretim.
Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin, në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Lumezit kur i përfundoi mandati shtatëvjeçar, Këshilli Prokurorial e pati caktuar Besim Kelmendin, si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.