Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Kosovë, 72 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve përgjatë vitit 2023

    08/01/2024 19:35
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Në Kosovë gjatë vitit 2023 janë regjistruar 72 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Siç njofton korrespondentja jonë, Edlira Bllaca, njohës të fushës e cilësojnë vitin e kaluar ndër më sfiduesit në dekadën e fundit për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në tërësi.


    Venera Xhoxhaj, punon si gazetare prej më shumë se 20 vjetësh. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ajo thotë se 2023-a, ishte ndër vitet më sfiduese për të.

    “Kjo lidhet patjetër me ngjarjet në veri, me raportimet nga zonat atje, sepse ky vit nuk ka qenë i lehtë për të raportuar nga një situatë ku herë pas herë ka pasur ngritje të tensioneve dhe ka pasur sulme të vazhdueshme ndaj mediave”, thotë ajo.

    Tensionet në veri shpërthyen në muajin maj pasi forcat policore shoqëruan për në zyrat e tyre kryetarët shqiptarë të katër komunave më shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga partitë politike serbe.

    Me 16 qershor të vitit 2023, Venera dhe ekipi i saj nga Radio Televizioni i Kosovës, u sulmuan ndërsa po ndiqnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në zyrën e kryetarit të komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi. Ata ishin pjesë e një grupi gazetarësh që sipas raportit të policisë “u sulmuan fizikisht në mënyrë brutale nga individë apo grupe kriminale”.

    “Në momentin kur ka ndodhur sulmi fillimisht ka pasur një shok bombë dhe kemi filluar të vrapojmë për t’u larguar normalisht sepse e kemi parë se situata po tensionohet dhe grupet janë nisur drejt mediave. Gjuajtjet me gurë na kanë goditur gjithsesi gjithandej nëpër trup, në kokë, qafë e shpinë. Pra jam rrëzuar përtokë, jam goditur me gurë, jam trishtuar shumë, nuk kam besuar realisht që mund të dalim nga gjithë ajo situatë që është krijuar”, rrëfen Venera.

    Ajo thotë se ngjarja, në të cilën u lëndua rëndë kolegu i saj, kameramani Bardh Bekteshi, e ka rënduar emocionalisht.


    “Unë nuk e kam parë ndonjëherë në jetën time telefonin tim të mbushur me aq shumë mesazhe, me aq shumë kujdes e dashuri, të cilat i kam lexuar tek pas disa ditësh sepse kisha nevojë realisht të marrë atë energji të kujdesit prej secilit meqë edhe gjendja ime emocionale pastaj për disa ditë ka qenë e rënduar shumë. Por besoj që vërehet edhe në këto momente kur po flas sërish sepse sa herë e kujtoj është pak emocionale, uroj të mos ndodhë asnjëherë”, thotë Venera.

    Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, i tha Zërit të Amerikës se viti që e lamë pas ishte më i vështiri për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në dekadën e fundit.

    “Ka pasur në total në databazën tonë të regjistruara 72 raste të sulmeve, kërcënimeve, një pjesë e tyre natyrisht online, por të formave të ndryshme kundër gazetarëve. Gati gjysma e tyre kanë ndodhur në veriun e Kosovës në një periudhë vetëm pesë javore, prej fundit të majit deri në fund të qershorit. Gazetarët në Kosovë këtë vit janë sulmuar barbarisht fizikisht, mjetet e tyre të punës, kamerat, makinat me të cilat udhëtojnë për të kryer punën e tyre janë djegur, por mbi të gjitha është cenuar siguria fizike e tyre”, thotë ai.

    Zoti Rexha thotë se sulme ka pasur edhe në pjesën tjetër të Kosovës, ndërsa thekson se ndër rastet më të rënda ishte ai ndaj gazetarit Valon Syla, i cili u sulmua në muajin prill të vitit 2023 pak pas pjesëmarrjes në një debat televiziv.

    “Gjithsesi jemi të kënaqur me mënyrën se si drejtësia e ka marrë në dorë rastin dhe tashmë ka dhënë një verdikt gjykues të shkallës së parë kundër tre personave. Sulmi ndaj tij ka qenë kundër lirisë së shprehjes të cilën AGK-ja e mbron dhe shoqëria civile e mbron sepse është bazament i Kushtetutës së Kosovës”, thotë ai.

    Sulme si këto dëmtojnë lirinë e medias në Kosovë, thotë zoti Rexha, e cila sipas tij, u cenua më së rëndi në 20 vitet e fundit me përpjekjet për mbylljen e televizionit Klan Kosova.

    “E shohim absolutisht si një atak direkt kundër lirisë së mediave. Ne e dimë se rasti është në gjykatë dhe shpresojmë që ai të vendoset në atë formë që asnjëherë të mos jetë e mundur në Kosovë që të mbyllet një televizion”, thotë ai.

    Sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë përgjatë vitit 2023 janë dënuar në shkallë të gjerë nga shoqata vendëse e ndërkombëtare të gazetarëve, por edhe përfaqësuesit e institucioneve e partive politike në Kosovë.

    Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Federata Evropiane e Gazetarëve në reagimet e tyre i kanë cilësuar sulmet si të papranueshme, ndërsa u kanë bërë thirrje autoriteteve të ndërmarrin masat e duhura për të garantuar mjedis të sigurt për gazetarët në terren.

    Flutura Kusari, Juriste e së Drejtës të Medias, vlerëson se zhvillime të tilla japin një pasqyrë negative për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

    “Të gjitha këto zhvillime negative janë pasqyruar edhe në raportin e progresit të Bashkimit Evropian, edhe në raportin e parë nga Këshilli i Evropës që është pjesë e vlerësimit që po i bëhet procedurës së anëtarësimit dhe janë portretizuar në shumicën e raporteve ndërkombëtare. Normalisht që secili prej nesh dëshirojmë që Kosova të shihet si një vend demokratik ku liria e shprehjes dhe medias lulëzon dhe jo e kundërta. Por për fat të keq këtë nuk e kemi parë dhe pasojat janë të tilla që ne në nivel ndërkombëtar kritikohemi dhe rangohemi me shtete në të cilat liria e shprehjes është problematike”, thotë ajo.

    Përmirësimi i gjendjes është çështje e vullnetit politik sipas zonjës Kusari. Ajo rekomandon që të zbatohen standardet e Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve, pluralizmin e mediave dhe luftimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) të cilat sipas saj gjithnjë e më shumë po përdoren kundër gazetarëve në Kosovë.

    Në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit nga Organizata Gazetarët pa Kufij, i cili përfshin 180 vende, Kosova thuhet se ka shënuar përparim duke u radhitur në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me raportin e kaluar ku radhitej në vendin e 61-të. Megjithatë organizata e radhit Kosovën në mesin e vendeve problematike ku gazetarët janë rregullisht në shënjestër të sulmeve. /VOA

    Artikuj të ngjashëm

    Siguria e gazetarëve vazhdon të jetë e brishtë, thotë AGK-ja

    AGK e dënon gjuhën e Donika Gërvallës ndaj mediave

    “Skandaloze për Kosovën”, Rexha i AGK-së fajëson qeverinë për krizën në lirinë e mediave

    Të Fundit

    Përhapet zjarri që kishte shpërthyer gjatë ditës përreth pikës kufitare Hani Elezit – Bllacë 

    Faton Peci shfaqet i bindur se do ta fitojë Mitrovicën lehtë, “kapet” me komentuesin që i tha “nuk fiton për shtune 700 vjet”

    Policia dhe studentët përplasen në Serbi, forca të shumta po i largojnë me dhunë nga rrugët

    Në autostradën Kosovë-Shqipëri paralajmërohen kontrolle me radarë statikë

    Reagon gruaja e Adem Mikullovcit pas shpifjeve se nuk iu rregullua varri aktorit

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.