Vlogerët nuk do t’i shpëtojnë tatimit ndaj shtetit, për të ardhurat që i marrin produktet, të cilat i shpërndajnë në internet.
Qeveria po kërkon nga kjo kategori dhe krejt ata që fitojnë nga rrjetet sociale, t’i deklarojnë të ardhurat në Administratën Tatimore, dhe të paguajnë si tatim 10 për qind të fitimit.
“Të ardhurat me burim nga jashtë si ajo free lancer, edhe këta janë të obliguar të deklarojnë të ardhurat e tyre dhe të paguajnë tatim në 10 për qind të vlerës. Të ardhurat nga Youtube e rrjete sociale po ashtu duhet të shënohen në këtë deklaratë të të ardhurave personale”, deklaroi Murati në konferencën e së hënës, njofton Klan Kosova.
Thirrja vlen edhe për qiradhënësit dhe tregtarët e kriptovalutave.
“Ngjashëm llogaritet edhe në rastet kur këmbehet tokat, që po ashtu fitimi kapital duhet të deklarohet. Shitja e letrave me vlerë e kriptovalutave po ashtu konsiderohet fitim kapital, fitimi duhet të deklarohet”, ka thënë ministri Murati.
Për fitimet që nuk ‘tatimohen’, është krijuar një formular për të ardhurat personale në ATK. Kjo e fundit njoftoi se afati i fundit për plotësim të tij është 31 maji. Kurse tha se ikja nga ky obligim ka pasoja ligjore.
Qeveria nuk ka treguar nëse është duke u angazhuar të hiqen barrierat që ka Kosova nga rrjetet sociale. Për shkak të kësaj, shumë kosovarë që fitojnë nga to, llogaritë i kanë të regjistruara jashtë vendit.