Kosova po hyn në muajin e gjashtë pa institucione të reja. Gjykata Kushtetuese u ka dhënë afat partive politike që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj, ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e rinj. Njohës të fushës, vënë në pah se ngërçi i krijuar është rezultat i mungesës së një konsensusi politik.
Konsensus për krijimin e institucioneve po kërkojnë njohës të politikës, në mënyrë që vendi të dalë nga ngërçi politik dhe pasojat të jenë sa më të vogla.
Njohës të fushës vlerësojnë se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje duhet të dalë me oferta konkrete për Nismën e Fatmir Limajt, si dhe për pakicat joserbe, në mënyrë që të sigurojë shumicën absolute për zhbllokimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.
Jeton Halimaj, njohës i drejtësisë dhe politikës, tha se tash është koha e fundit të mblidhen të diskutojnë dhe Albin Kurti të shkoj me oferta konkrete edhe për Limajn edhe për Baljen, të themelojnë Institucionet e Kosovës dhe të lënë inatet politike.
Gjykata nuk mund t’i zgjidhë çështjet politike, theksojnë njohësit e drejtësisë, duke vënë në pah se një konsensus mes subjekteve politike është i nevojshëm për të ecur përpara.
“Kushtetuta ka lënë hapësirë të mjaftueshme që aktorët politik kur vije koha e konstituimit të institucioneve të ulen dhe të gjejnë një konsensus “, tha Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese.
Analisti Halimaj thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë asnjë partie politike.
Sipas tij, ky ngërç politik do t’i varfërojë qytetarët dhe do ta pengojë rrugën euroatlantike të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese u ka dhënë afat partive politike që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj, ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e rinj