Gjatë ditës së diel, një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, grupe të organizuara serbësh bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Në veri pati të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u maltretuan në kufi, shkruan Reporteri.met.
Tensionimi i situatës bëri që Qeveria e Kosovës ta shtyjë për muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.
Shtyerja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së. Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.
Situata në veri të vendit zuri ballinat e mediave ndërkombëtare.
CNN raportoi për vendimin e Qeverisë për reciprocitet në targa dhe dokumentet e identifikimit duke shkruar se edhe katërmbëdhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, rreth 50,000 serbë në veri përdorin ende targa dhe dokumente të lëshuara nga autoritetet serbe, duke refuzuar të njohin qeverinë e Prishtinës dhe institucionet e saj.
Ndërkaq prestigjiozja “The Guardian” transmetoi deklaratën e kryeministrit Kurti se “Orët, ditët dhe javët në vijim mund të jenë sfiduese dhe problematike”.
Ruters raportoi për tensionimin e situatës, duke shkruar se tensionet politike janë ndezur më shumë se dy dekada që kur fushata e sulmeve ajrore të NATO-s dëboi forcat serbe.
Wall Street Journal raportoi për frikën që kjo situatë mund të përdoret nga Rusia për të shkaktuar më shumë detabilitet në Evropë.
“NATO dhe Bashkimi Evropian u përpoqën të qetësojnë tensionet midis Kosovës dhe Serbisë pas rindezjes në fundjavë, tensione këto për të cilat disa politikanë dhe ekspertë kanë frikë se mund të përdoren nga Rusia për të shkaktuar më shumë destabilitet në Evropë”, raportoi mediumi.
Kujtojmë se Policia e Kosovës njoftoi dje se tashmë janë larguar të nëntë barrikadat që ishin vendosur nga serbët lokalë në veri të Kosovës. Largimin e tyre e konfirmoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.